Lajme Shqip Thursday, 17 January 2013 13:51

Lajmi se Bajern Mynih ka nënshkruar me Pep Guardiolën dhe do të drejtohet nga trajneri spanjoll duke filluar nga sezoni i ardhshëm, ka entuziazmuar futbollin gjerman në përgjithësi. Një fakt i tillë vihet re nga urimet që kanë marrë bavarezët brenda 24 orëve të fundit nga drejtuesit e futbollit gjerman, por edhe nga rivalët e tyre në kampionatin vendas.

“Përgëzoj Bajernin për nënshkrimin me Pep Guardiolën. Kjo tregon edhe një herë rëndësinë e madhe ndërkombëtare që ka marrë kampionati gjerman. Mbërritja e Guardiolës do të thotë se me siguri interesi ndërkombëtar ndaj Bundesligës do të rritet”, tha shefi i Ligës Gjermane, Andreas Retig.

Urimet i kanë ardhur edhe nga presidenti i rivalëve të Borusia Dortmund, Hans Joakim Uatzke. “Urime Bajernit për këtë arritje, duhet t’ia njohim meritat pa asnjë zili. Kjo është diçka gjeniale”, tha ai.

Ndërkohë, për transferimin e Guardiolës te Bajern Mynih ka folur edhe pasardhësi i tij te Barcelona, Tito Vilanova, i cili është i sigurt se ai ka bërë zgjedhjen e duhur.

“Nuk e dija për cilën skuadër do të firmoste ai, nuk më ka treguar gjë. Nuk e di për emrat e mundshëm me të cilët po negocionte, lojtarët në përbërje apo si do të luajë. Jam i sigurt se ai zgjodhi duke u menduar shumë dhe është e qartë se nuk kishte si të gabohej, pasi opsionet ishin të shkëlqyera. Bajern Mynih ka 4 Liga Kampionesh të fituara, një infrastrukturë dhe një skuadër të jashtëzakonshme… Pep nuk është gabuar në zgjedhjen e tij”, tha Vilanova.

Mediat kanë filluar që tani të aludojnë për përforcime të mundshme të skuadrës bavareze në sezonin e ardhshëm, duke vënë në majën e listës së dëshirave të trajnerit spanjoll sulmuesin brazilian Neimar. (LajmeShqip.com)