Lajme Shqip Thursday, 31 January 2013 14:30

Prishtine – Më 31 janar të vitit 1997, pikërisht në kufirin mes ditës dhe natës, ndodhi njëra nga betejat e para madhore të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tre aksionisti dhe strategët, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ishte duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, derisa grupi i tij zbulohet nga sigurimi serb, të cilët kishin vënë pritë në fshatin Pestovë, ku të tre bien heroikisht në luftë me ta.

Aktivitetet ushtarake, Zahir Pajaziti i fillojë gjatë viteve 90-ta. Në rrethanat e krijuara gjatë grevave të përgjithshme në Kosovë të mbajtura më 3 shator të vitit 1990, Zahiri dhe aktivistët tjerë fillojnë të punojnë për ngritjen e një rrjeti sigurimi në Kosovë. Si rezultat i kësaj pune Zahiri dhe aktivistët e Orllanit krijojnë Shtabin e Njësisë Guerile në Orllan.

Në vitin 1991 pasi që në Kosovë fillojnë që punët e ilegales të koordinoheshin me legalen Zahiri shkon në Shqipëri për qëllime ushtarake. Me të kthyer në Kosovë në vitin 1992, grupi i tij zbulohet dhe Zahirit i duhet të kalojë në ilegalitet për disa muaj. Deri në 1992 ai kontribuoi në furnizimin me armatim të shtabeve të krijuara në rrethinën e Orllanit.

Gjatë vitit 1994, Zahiri filloi të angazhohet edhe në pjesë tjera të Kosovës për krijimin e UÇK-së. Kështu, ai është një nga themeluesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe anëtar i tij nga fillimi, nga ku fillon të bëhet koordinimi i aktiviteteve politike dhe ushtarake në të cilat Zahiri luante një rol të madh si në zgjerimin e fushës së ndikimit, po ashtu edhe në furnizimin me armatim. Zahiri shquhet në këtë kohë si organizues dhe zbatues i shkëlqyeshëm i sulmeve guerile ndaj forcave serbe në Kosovë, po veçanërisht në rajonin e Llapit. Për te gjithe aktivitetin e tij ndihmën me te madhe ia ka dhene kusheriri i tij Fadil Pajaziti i cili ishte nje biznismen dhe pothuajse te gjithë financimin e ka pasur nga ai.

Më 31 janar 2008, në 11-vjetorin e rënies, Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu i akordoi Zahir Pajazitit dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës Urdhrin Hero i Kosovës.

Zahiri ishte drejtuesi i njërës nga degët e mëdha të luftës, që më pas, natyrshëm, është shkrirë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.Duke qenë drejtues i njërës nga degët e mëdha të luftës, ai ishte njëkohësisht edhe njëri nga bashkëkrijuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Edmond Hoxha ishte junikasi që kishte ndër mend të krijonte përmasat e reja të traditës së tij familjare apo të Kosovës. Duke qenë se në moshën gjashtëvjeçare, kur ishte ende fëmijë, kishte parë prangimin e burgosjen e të vëllait të tij të madh, Xhavitit, duke qenë se nga kjo kishte parë se kishte pasur dhimbje, por nuk kishte pasur thyerje, ai kishte vendosur të bëhej shtyllë e mosthyerjes, sado e dhimbshme të kishte qenë kjo dhe sado e mundimshme të kishte qenë rruga. Edmondi ishte studenti mes dëshirës për t’u bërë ushtarak dhe njeri i shkencave, i riu që kishte zgjedhur të bënte një jetë ndryshe e megjithatë tepër rinore; ndoshta më shumë se gjithçka ai do të niste një rrugë që njerëzit e tij e kishin hapur, me gjithë dhimbjen që kishte mbartur ajo, me gjithë gjakimin që kishin përjetuar e do të përjetonin. Duke qenë më i vogli nga fëmijët, djali pas shtatë motrave, ai qe krejt natyrshëm thelbi i zemrës së tyre, dritësim nga jeta e prindërve të tij e, megjithatë, kjo nuk e bëri atë, dhe mendoj se nuk kishte se si ta bënte, një djalë të ri, por të plakur që në moshën njëzetvjeçare, pra një djalë plak njëzetvjeçar. Në të kundërtën, e gjithë ajo që kishte lidhje me përkujdesjen ndaj Edit, me thelbëzimin e zemrës së motrave dhe dritësimin e prindërve, ishte e lidhur me Kosovën. Asnjëherë në kullën e Junikut dhe përgjithësisht në kullat dukagjinase dita e zakonshme e secilës stinë nuk ka qenë e shkëputur nga Kosova.

Hakif Zejnullahu është një nga figurat më të pabujshme të luftës. Si duket, edhe natyra e tij njerëzore ka qenë e tillë, e pabujshme. Ka një kontradiktë mes heshtjes së tij dhe punës së bërë prej tij. Nëse heshtjen e ka të jashtëzakonshme, punën e ka po ashtu të jashtëzakonshme. Është një nga rastet më të veçanta të luftës, kur një figurë e rëndësishme si ai të ketë qëndruar, me një natyrshmëri të thellë, në vendin që i ishte caktuar, si zëvendës i Zahir Pajazitit dhe ndihmës i tij, dhe e gjithë kjo të ishte shumë e heshtur. Hakifi dhe Zahiri ishin jo thjesht nip e dajë, por kishin të përbashkët gjithçka të virtytshme. Ai kishte virtytin e luftës dhe të guximit, të mosthyerjes dhe mosfjalëve të mëdha, kishte identitetin e tij të pashoq dhe njëkohësisht merakun e gjithekundshëm për shokët, i pafjalë e gjithsesi një urë lidhëse mes komandantit të zonës dhe luftëtarëve.

Sot përveç homazheve pranë varrit të heronjve, është organizuar edhe një akademi përkujtimore.

Haradinaj bën homazhe te heronjtë Zahir Pajaziti e Hakif Zejnullahu

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, me bashkëpunëtorë, të enjten bëri homazhe të varret e heronjve të kombit Zahir Pajaziti e Hakif Zejnullahu, në 16-vjetorin e rënies së tyre. Haradinaj me këtë rast është pritur edhe nga bashkëfamiljarët e të rënëve, miq dhe bashkëluftëtarë të tyre.

Duke folur para varrit të heroit Zahir Pajaziti, kryetari Haradinaj ka thënë se në momente të tilla fjalët duhet të jenë pakta, “sepse ne po nderojmë një vepër të madhe të Zahirit dhe të bashkëluftëtarëve të tij, të cilët e tejkaluan veten e tyre për lirinë e vendit tonë”.

Ish-Kryeministri Ramush Haradinaj e ka cilësuar figurën e Zahir Pajazitit si një prej më të rëndësishmëve në themelimin dhe ngritjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rënien e tij si fundament të shtetit, lirisë dhe pavarësisë.

“Vepra dhe sakrifica e tyre duhet të jenë shembull se si jetohet e punohet për atdheun, duhet të jenë udhërrëfyes në punën dhe angazhimet tona të përditshme”, ka thënë Haradinaj.

Komandanti Zahir Pajaziti ra së bashku me bashkëluftëtarët e tij, Hakif Zejnulahu e Edmond Hoxha, në një betejë të pabarabartë, pas një prite të forcave policore serbe, më 31 janar të vitit 1997. Ishte kjo një ndër betejat e para të hapura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.(LajmeShqip.com)