Përfaqësuesja e Islandës ka pësuar një goditje mjaft të rëndë natën para ndeshjes me kombëtaren shqiptare të futbollit, pasi ka humbur shërbimet e një prej lojtarëve të saj më të mirë, mesfushorit Helgi Danielson. Ky i fundit është shtruar me urgjencë në një nga spitalet private të Tiranës pas simptomave akute të një viroze.
Gjatë pasdites së djeshme ai nuk është ndjerë mirë dhe ka shfaqur nauzea, duke alarmuar stafin e skuadrës nordike. Këta të fundit kanë vendosur të çojnë lojtarin në spital për ekzaminime, pas të cilave është zbuluar se ai ka simptomat e një viroze që po qarkullon aktualisht në Shqipëri.
Lojtari ka qëndruar i shtruar në spital nën kontrollin e mjekëve, i shoqëruar nga anëtarët e stafit mjekësor të Islandës., ndërsa pritet që sot të kthehet pranë kombëtares së tij. Por vështirë se mesfushori 31 vjeçar që luan me AIK Stokholm do të zbresë në fushën e lojës për sfidën e orës 19:00.
Kjo është një goditje e rëndë por skuadrën e Islandës dhe një lajm i mirë për kuqezinjtë e De Biasit, pasi futbollisti në fjalë është një nga pikat kyçe të mesfushës së ekipit dhe ishte planifikuar të luante titullar ndaj Shqipërisë. (LajmeShqip.com)