Lajmi i publikuar sot nga gazeta “Marca” mbi ultimatumin e Iker Kasijas dhe Serxho Ramos ndaj presidentit të Real Madrid, Florentino Perez për largimin e Murinjos apo këtyre lojtarëve, ka shtyrë klubin madrilen që si rrallëherë të reagojë ndaj asaj që është shkruar në shtypin sportiv.
Florentino Perez është shfaqur në një konferencë për shtyp, ku ka akuzuar gazetën më të madhe sportive në Spanjë se ka nisur një fushatë kundër klubit.
“Është krejtësisht fals lajmi se në mbledhjen me kapitenët është bërë ndonjë lloj ultimatumi. Përballë seriozitetit të situatës që ndodhi sot, u detyrova të prish rregullin tim për të mos folur para mediave. Po përsëris që ajo mbledhje është zhvilluar në një klimë të mrekullueshme. Nuk është e vërtetë ajo që ka dalë në shtyp. Objektivi ishte vetëm të destabilizohet Real Madrid”, ishin fjalët e Perez.
“Mendoj se ka limite etike që duhet të respektohen, edhe nga ata që nuk ndajnë të njëjtën ide me projektin tonë. Asnjërin nga ne që ishim në mbledhje as nuk na kanë telefonuar për të vërtetuar gjërat që janë thënë në atë takim. Nuk më duket etike që shtypi të përdorë gënjeshtrat. Kjo gjë ka ndodhur shpesh dhe sot është hera e fundit që përsëritet”, ishte kërcënimi i Perez, duke bërë të qartë se do të ndërmarrë hapa ligjorë ndaj gazetës sportive spanjolle.
Njëkohësisht, klubi ka shpërndarë një deklaratë për shtyp të përbashkët të Kasijas e Ramos, ku përgënjeshtrohet ajo që është shkruar në faqet e “Marca”.
“Gjatë takimit të së martës me presidentin dhe drejtorin e përgjithshëm të klubit, nuk është dhënë asnjë lloj ultimatumi nga ana jonë përsa i përket figurës së trajnerit. Si kapitenë të skuadrës dhe anëtarë të një grupi të shkëlqyer profesionistësh, kundërshtojmë në mënyrë kategorike shfrytëzimin e emrit tonë dhe të pjesës tjetër të skuadrës për të dhënë një informacion që ne e kualifikojmë si krejtësisht false”.
“Duam të tregojmë mbështetjen tonë ndaj figurës së trajnerit tonë, Zhoze Murinjo, ndaj të cilit kemi respektin më të madh. Në fund, duam të transmetojmë te të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e Real Madrid besimin tonë se vetëm nëpërmjet bashkimit të të gjithë madridizmit, do të kalojmë si gjithmonë të gjitha vështirësitë me të cilat përballemi në çdo sezon”, shkruhet në deklaratën e Kasijas dhe Ramos.
Por menjëherë pas kësaj konference të Realit, ka folur edhe drejtori i përgjithshëm i gazetës “Marca”, Oskar Kampijo. Ai ka insistuar se informacioni është i saktë dhe se pavarësisht përgënjeshtrimit të Perez, futbollistët kanë deklaruar në këtë mbledhje se ata janë gati të largohen në sezonin e ardhshëm nëse Murinjo vazhdon të qëndrojë në drejtimin e Realit me të njëjtën lloj sjellje që ka mërzitur të gjithë futbollistët, jo vetëm të dy kapitenët.