Uilfrid Zaha ka firmosur për Mançester Junajtid, pasi kryesuesit e kampionatit anglez paguan 15 milion paund për transferimin e tij në fillimin e sezonit të ardhshëm nga Kristal Palas. Ishte vetë Aleks Ferguson që e konfirmoi i pari një gjë të tillë, gjatë konferencës për shtyp të mëngjesit, duke treguar se 20 vjeçari do të kryente vizitën mjekësore gjatë ditës, ndërsa mediat angleze më pas e zbuluan atë pranë spitalit të Mançester ku kryejnë vizitat mjekësore edhe lojtarët e tjerë të “djajve të kuq”.
“Ne po firmosim me një lojtar me potencial, pasi ndjejmë se jemi të aftë të zhvillojmë sa më mirë lojtarë të tillë. Një gjë të tillë kemi arritur ta provojmë në vazhdimësi. Shpresojmë që edhe djaloshit t’i pëlqejë ky vend kur të transferohet mes nesh gjatë verës”, tha Ferguson.
Kuptohet që Zaha ka qenë shumë i lumtur, edhe pse faktin se i ka dhënë fund të gjitha spekulimeve për të ardhmen dhe mund të luajë i qetë në pjesën e dytë të sezonit.
“Jam shuam i lumtur që i jam bashkuar Mançester Junajtid dhe i kam dhënë fund spekulimeve të kohëve të fundit. Do të doja të falënderoja pronarët e Kristal Palas që bënë të mundur këtë transferim, por them se në 5 muajt e ardhshëm ajo skuadër do të vazhdojë të jetë përqendrimi im i vetëm”, tha lojtari që shpreson të jetë vendimtar për të ndihmuar ekipin e tij aktual që të ngjitet përsëri në elitën e futbollit anglez.
Lojtari vetë ka firmosur një kontratë prej 5 vitesh e gjysmë, nga e cila do të përfitojë 35 mijë paund në javë, me rritje të ndjeshme pas çdo sezoni në bazë të paraqitjeve të tij dhe arritjeve të klubit. Nga sezoni i ardhshëm, ai pritet të jetë titullar në radhët e “djajve të kuq”, pasi ky ka qenë kushti i vetëm që u ka vënë skuadrave që janë interesuar për shërbimet e tij. (LajmeShqip.com)