Gazeta britanike “The Sun” mendon se Pep Guardiola ka vendosur të pranojë ofertën e Mançester Sitit dhe do t’i bashkohet kësaj skuadre gjatë verës së ardhshme. Sipas saj, trajneri spanjoll ka zgjedhur kampionët në fuqi të Anglisë pasi mendon se ata mund të transformohen në një forcë që mund të rivalizojë denjësisht me ish-klubin e tij, Barcelonën.
Guardiola pritet të refuzojë ofertat nga Mançester Junajtid, Çelsi, Bajern Mynih dhe Milan, për të zënë vendin e Roberto Mançinit në fund të këtij sezoni.
Javën e kaluar, ai konfirmoi se do të kthehej përsëri në drejtimin e një skuadre në verë, pas një viti pushime, ndonëse nuk zbuloi se kush ishte kjo skuadër. “Do të kthehem në sezonin e ardhshëm, por do të ishte mungesë respekti të flas rreth një ekipi që e ka një trajner aktualisht”, ishin fjalët e tij.
Por gazeta britanike insiston se sipas një burimi të rëndësishëm në Spanjë, Guardiola ka zgjedhur të bashkohet me Mançester Sitin gjatë verës.
“Është 100% e sigurt se Guardiola do t’i bashkohet Mançester Sitit gjatë verës. Kur them 100%, nuk nënkuptoj 99%, është 100%!”, ishin fjalët e këtij burimi të gazetës britanike, që e cilëson të mbyllur marrëveshjen mes palëve.
Sipas “The Sun”, kontrata e re e Guardiolës do të jetë 10 milion paund neto në vit, ndërsa detyra e tij kryesore do të jetë të synojë Ligën e Kampioneve, ku trajneri aktual, Roberto Mançini, ka dështuar dy herë radhazi duke mos kaluar fazën e grupeve.
Siguritë për objektivat dhe seriozitetin e klubit, Guiardiola i ka marrë nga Ferran Soriano dhe Çiki Begirishtajn, dy ish-bashkëpunëtorë të tij te Barcelona që tashmë janë punësuar nga Mançester Siti. (LajmeShqip.com)