Tranë – Në kampionatin shqiptar të futbollit vitet e fundit është kthyer në një fenomen normal aktivizimi i lojtarëve nga Serbia, Kroacia, Maqedonia, Bosnja, Mali i Zi e Sllovenia.
Nuk janë pak, por plot 16 futbollistë me nënshtetësi serbe, që luajnë nëpër skuadrat shqiptare, kryesisht në Kategorinë Superiore. I fundit që vjen është Millovan Miloviç, futbollist i Vojvodinës, që huazohet për 6 muaj tek Dinamo në Tiranë.
30 vjeçari Milovan Miloviç ka një karrierë të pasur si futbollist profesionist në vendlindjen e tij. Ai është aktivizuar dhe me ekipet e “Partizanit” dhe “OFK” të Beogradit dhe deri në fund të vitit të kaluar luante me ekipin e “Vojvodinës” në superligën serbe.
Është tipik profili i një mbrojtësi qendror energjik, që kalohet me vështirësi, sidomos në luftën në ajër. Aktivizimi i Miloviç me kampionët në fuqi të “Dinamos” në Shqipëri ka të bëjë me një marrëveshje huazimi mes këtij klubi dhe “Vojvodinës”. Tani, që ka kaluar rreth dy muaj në Tiranë, Miloviç ndjen se ia ka vlejtur zgjedhja për t’u aktivizuar me një ekip shqiptar.
Ai thotë se ofertën realisht e ka vlerësuar pozitivisht qysh në fillim. Dalja jashtë fushave të blerta serbe për të luajtur me kampionët e Shqipërisë, sipas tij, është një përvojë profesionale e vyer, por dhe përvojë shoqërore.
Përtej kushteve financiare, Miloviç u tërhoq edhe nga fakti se në klubin blu luan përkrah dy serbëve të tjerë, Marko Putinçanin e Mlladen Brkiç, ky i fundit ardhur huazim nga Skënderbeu.
Mlladen Brkiç ka ardhur më herët, duke kaluar madje eksperienca dhe në dy ekipe të tjera të superligës shqiptare, “Apollonia” e Fierit dhe “Skënderbeu” i Korçës.
Po në 11-shin dinamovit është dhe serbi tjetër Marko Putinçanin, i cili ka rreth 1 vit e gjysëm me “Dinamon” në Tiranë. Ai ka mendimin se në ekipet shqiptare lojtarët e huaj trajtohen shumë mirë, pavarësisht origjinës së tyre. Vetë ai para se të vinte tek “Dinamo” ka luajtur në Beograd me klubet e “Zemunit” dhe “Bezhania”-s.
Por nuk është vetëm Dinamo që ka shumë serbë. Nuk mbetet pas Vllaznia me Vladimir Jasiçin dhe Marko Jovanoviçin, ndërsa më i njohuri mbetet Ivan Gvozdenoviç i Tiranës, ish-kapiten i Crvena Zvezdës, që luan në krah të kroatit Pero Pejiç dhe boshnjakut Mlladen Zizoviç.
Skënderbeu ka edhe ai pjesën e tij në këtë “zbarkim” të futbollistëve serbë në Shqipëri. Ndërkohë edhe tek Elbasani, pas trajnerit Esat Karishik, i larguar pas 5 javësh në pankinë), është afruar edhe futbollisti serb Rikanoviç.
Nëse në këtë listë do të përfshiheshin edhe lojtarët që aktivizohen në Superligë nga vende të tjera të ish-Jugosllavisë, si Kroacia, Mal i Zi, Bosnjë Hercegovina apo Maqedonia, atëherë numri i tyre do të ishte shumë më i madh.