Real Madrid ka kaluar në gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit pas barazimit 1-1 me Valencian, por nuk ka festuar shumë këtë arritje, për shkak të asaj që ka ndodhur gjatë takimit.
Që në minutën e 17-të të ndeshjes, Iker Kasijas, i cili e nisi ndeshjen si titullar, u detyrua të zëvendësohej, pasi u dëmtua në dorë nga një shkelm pa dashje i Arbeloas. Edhe pse stafi mjekësor ka bërë të qartë se për momentin nuk dyshohen fraktura, fakti që portieri u detyrua të largohej nga fusha ka sjellë panik në radhët e madrilenëve.
Qetësia te kjo skuadër u kthye disi pas golit të avantazhit të Benzema në minutën e 44-t, por në fillimin pjesës së dytë, Koentrao komplikon gjithçka duke u ndëshkuar me karton të kuq pas dy kartonëve të verdhë. Vendasit gjejnë golin e barazimit që në aksionin e radhës me anë të Kosta dhe hidhen në sulm për të gjetur rrjetën, edhe pse i duheshin 3 gola për të kaluar turin pasi u mundën 2-0 në “Santiago Bernabeu”. Por Reali i mbijeton sulmeve të Valencias, edhe kur në minutat e fundit edhe Di Maria largohet nga fusha e lojës me karton të kuq.
Skuadra e Murinjos do të mësoje nesër emrin e kundërshtarit të gjysmëfinales që do të dalë nga dyshja Malaga-Barcelona. Por në përballjen e parë gjysmëfinale është e sigurt mungesa e Di Maria dhe Koentrao të pezulluar, ndërsa pritet të mësohet sa serioz është dëmtimi i Kasijas dhe sa do të zgjasë riaftësimi i tij. (LajmeShqip.com)