Vladimir Stojkoviç ka bërë të ditur se Kombëtarja e Serbisë është gatshme për gjithçka për ndeshjen që zhvillohet në Elbasan Arena mes Shqipërisë dhe Serbisë
Portieri i ekipit kombëtar serb, Vladimir Stojkoviç, në një intervistë për gazetën serbe Alo, ka thënë se futbollistët serb janë të përgatitur për luftë dhe përleshje në Elbasan Arena.
“Pas asaj që shkaktoi në Beograd droni me flamurin e të ashtuquajturës Shqipëri të Madhe, ne jemi të gatshëm për përleshje dhe luftë në Elbasan”.
“Ata do të përpiqen të na mundin prapë me dhunë, sepse janë të vetëdijshëm se nuk dinë dhe në terren nuk mund të na mundin”, tha Stojkoviç.
“Shqiptarët tashmë e kanë filluar luftën speciale para ndeshjes. Filluan me arrestimin e serbit me dron në kufi (i cili përpiqej të bënte punën e tij dhe punonte për një organizatë turistike në Shqipëri) dhe vazhdoi me provokimet e lojtarit Andi Lila, i cili festoi golin ndaj Olimpiakosit duke e lartësuar Shqipërinë e Madhe”.
“Do të japim gjithçka nga vetja, të kthejmë atë që na është marrë padrejtësisht në Beograd. Me siguri do të ketë edhe ndonjë sajesë në Elbasan, por tani jemi më të përgatitur dhe më me përvojë për shkak të asaj që ndodhi në terrenin tonë. Do të ketë gjithçka. Rrahje, grindje, shpime, goditje, por ne jemi të përgatitur. Kush del më i mençur nga kjo luftë, do të fitojë dhe ndeshjen”, ka vazhduar më tej Stojkoviç.