Mishel Platini ka reaguar kundër publikimit nga revista franceze “France Football” të skandalit të quajtur “Qatargate” ku pretendohet se pikërisht presidenti i UEFA-s ka qenë një prej organizatorëve të shitjes së votave në mënyrë që Katari të fitonte të drejtën e zhvillimit të Botërorit 2022. Sipas Platini, gjithçka është e bazuar në shpifje dhe gënjeshtra.
“Të mendosh se vota ime për Katar 2022 erdhi nëpërmjet marrëveshjeve mes shtetit francez dhe atij të Katarit është spekulim dhe komprometon ata që shkruajnë gënjeshtra të tilla”, tha Platini në një deklaratë për “AFP”. “Nuk përjashtoj mundësinë që t’i hedh në gjyq të gjithë personat që vënë në dyshim integritetin tim për këtë votim”.
Sipas revistës së famshme franceze, gjithçka është organizuar në një takim sekret në Pallatin Elize, rreth 1 javë para votimit në FIFA, takim ku ishte i pranishëm presidenti francez Nikolas Sarkozi, princi i Katarit, Tamin bin Hamad al-Thani, Mishel Platini, si dhe Sebastien Bazin, përfaqësuesi i “Colony Capital”, kompania që më parë kishte në pronësi klubin e Paris Sent Zhërmen, i cili kishte vështirësi të mëdha financiare. Gjatë këtij takimi u vendos për shitjen e PSZH të sheikët e Katarit, rritja e aksioneve të tyre në grupin “Lagardere”, krijimi i një rrjeti të ri sportiv (atij që tashmë është “BeIn Sport”) për të rivalizuar “Canal+”, gjithçka në këmbim të votës së Platini për Katarin dhe jo për SHBA.
“Siç e kam thënë edhe më parë, presidenti Sarkozi nuk më ka kërkuar asnjëherë që të votoja për Katar 2022, pasi ai e di që unë jam një njeri i lirë”, ishte reagimi i Platini. “Vendimin e kam marrë në pavarësi të plotë, duke ndjekur një logjikë të thjeshtë për të qenë sa më të hapur ndaj vendeve që nuk kanë organizuar ende aktivitete madhore sportive”, tha ai. (LajmeShqip.com)