Tiago Silva dhe Zlatan Ibrahimoviç kanë vetë në dorë të ardhmen e tyre pasi Milan duket se është gati të pranojë ofertën prej 65 milionë eurosh që PSZH ka bërë për të dy lojtarët. Kuqezinjtë kanë një akord parimor me klubin francez për shitjen e futbollistëve, por janë këta të fundit që do të vendosin përfundimisht se çfarë do të bëjnë, të qëndrojnë apo të largohen.
Ky ka qenë edhe qëllimi i mbledhjes së Adriano Galianit me menaxherin e Zlatan Ibrahinoviç, Mino Raiola, të cilit i ka shpjeguar propozimin francez, ndërsa duket se drejtuesi i Milan nuk do të ishte kundër transferimit të suedezit.
Ndonëse oferta e PSZH është për të dy lojtarët bashkë, Galiani shpreson që të mund të largojë Ibrahimoviç për 20-25 milionë euro, marrëveshje nga e cila siguron para si dhe ul shpenzimet e klubit për shkak të rrogës së lartë të suedezit që kalon 10 milionë euro në sezon.
Vetë lojtari, nga sa shkruhet në mediat italiane, nuk është kundër kësaj hipoteze, ndërsa i ka telefonuar ish-shokut të skuadrës, Maksuell, duke e pyetur për kushtet e jetesës në kryeqytetin francez.
Deri në këtë moment, Milan ka qëndruar i qetë, duke mos lëshuar deklarata, pasi pret vendimin e dy futbollistëve, të cilët shumë shpejt do të ndajnë përfundimisht të ardhmen e tyre nëse do të vazhdojnë të veshin fanellën kuqezi, apo nëse do të ndryshojnë krejtësisht kampionat. (LajmeShqip.com)