Prania e Josep Maria Orobitog, menaxherit të Pep Guardiolës, në Gjermani, ka bërë që të lindin spekulime të shumta rreth transferimit të trajnerit spanjoll në këtë vend dhe një akordi të mundshëm me Bajern Mynih, një nga klubet e interesuara për të siguruar shërbimet e tij.
Gazeta gjermane “TZ”, e më pas edhe ajo “Kicker”, kanë publikuar lajmin se Orobitog gjatë këtyre ditëve ka qenë në Mynih ku ka diskutuar me drejtuesit e bavarezëve për të mundësuar kalimin e Guardiolës në Gjermani.
Por vetë Orobitog ka nxituar të përgënjeshtrojë gjithçka nëpërmjet një deklarate të shkurtër të publikuar sot nga “Bild”.
“Nuk kam qenë në Mynih. Kam qenë në Frankfurt dhe vetëm për një vizitë turistike me anije”, ishin fjalët e tij.
Megjithatë, mbetet shumë e mistershme kjo vizitë e tij në Gjermani pikërisht në momentin kur Guardiola është në kërkim të një skuadre dhe Bajern Mynih do të zgjedhë trajnerin e ardhshëm. Sipas asaj që raportojnë mediat në këtë vend, Bajern Mynih do të zgjidhë brenda janarit çështjen e trajnerit, nëse do të rinovojë me Heinkes apo do të afrojë një teknik tjetër për sezonin e ardhshëm. (LajmeShqip.com)