Mançester Junajtid ka kaluar qetësisht në turin tjetër të Kupës FA duke mposhtur pa vështirësi 4-1 skuadrën e Fullhem. Ndonëse kjo pritej të ishte një ndeshje me rivalitet, mes dy skuadrave të elitës së futbollit anglez, Mançester Junajtid ka arritur të fitojë shumë lehtë falë dyshes së sulmit Runi-Hernandez.
Avantazhi i skuadrës së Ferguson erdhi që në minutën e 3-të të takimit, kur Rajan Gigs transformoi qetësisht një penallti, fiks 20 vite e 3 ditë pas golit të tij të parë në Kupën FA. Më pas gjithçka ishte e lehtë për Junajtid që dominoi dhe krijoi raste të njëpasnjëshme, duke goditur edhe shtyllën.
Goli i dytë u shënua nga Uejn Runi në minutën e 5-të të pjesës së dytë dhe më pas ishte Hernandez që shënoi dy herë radhazi për të mbyllur ndeshjen në minutat 53 dhe 66, duke bërë që goli i Hjugs të shërbente vetëm si ngushëllim për skuadrën e Fullhem.
Kjo fitore ka gëzuar Ferguson edhe për faktin se skuadra tregoi se nuk ka varësi ndaj Van Persit, ashtu siç pretendojnë shuam ekspertë britanikë të futbollit, që e cilësojnë atë elementin e vetëm të rrezikshëm të “djajve të kuq” në këtë sezon. (LajmeShqip.com)