Mediat italiane kanë raportuar se Juventusi ka hedhur poshtë një ofertë të Volfsburgut për transferimin e sulmuesit italian Fabio Kualjarela në radhët e skuadrës gjermane.
Volfsburgu arriti të realizonte me sukses blerjen e Ivan Perisiç nga Borusia Dortmund, por janë ende në kërkim të një sulmuesi cilësor për merkaton e janarit, duke kthyer 29 vjeçarin italian në një nga objektivat e tyre më të mundshëm.
Që para fillimit të sezonit, Volfsburgu bëri hapat e parë për futbollistin, ndërsa ka parë t’i refuzohet oferta prej 10 milionë eurosh për blerjen e tij nga bardhezinjtë. Edhe oferta e dytë, e bërë pak ditë më parë, ka marrë përsëri një përgjigje negative, ndonëse nuk bëhet e ditur se cila ishte shuma që kishte ofruar këtë radhë ekipi gjerman.
Juventusi ka vendosur të mbajë lojtarin, duke parë se konkurron në tre aktivitete të ndryshme dhe e ka të vështirë të gjejë një tjetër emër cilësor për repartin e avancuar gjatë merkatos së janarit.
Kualjarela ka shënuar 6 gola në 13 ndeshje të luajtura me kampionët e Italisë në këtë sezon dhe ka qenë shpesh titullar, pasi ka rritur të bindë trajnerin Antonio Konte se mund të jetë i vlefshëm për këtë skuadër. (LajmeShqip.com)