Çelsi ka bërë një lëvizje aspak të fisme duke injoruar Frenk Lampard në ditën kur ky i fundit shënoi golin që e ngjiti në vendin e dytë në renditjen e golashënuesve të të gjitha kohëve për këtë klub. Londinezët nuk kanë përmendur askund faktin që futbollisti shënoi golin e tij të 194-t me fanellën e kësaj skuadre dhe kaloi legjendarin Kerri Dikson. Sikur të mos mjaftonte kjo, në një intervistë të Petr Çeh të dhënë për faqen e internetit të klubit, janë fshirë pjesët ku portieri lavdëronte “besnikërinë, rëndësinë dhe aftësinë për të qenë në nivelet maksimale” të mesfushorit.
Për më tepër, faqja e klubit ka vënë një intervistë të Lampard, ku flitet vetëm për të ftohtin në fushën e Stouk dhe paraqitjen e skuadrës gjatë suksesit 4-0.
Në artikullin e Çeh, është hequr krejtësisht pjesa më e rëndësishme e asaj që tha portieri për shokun e tij, me të cilin është bërë pjesë e historisë së klubit londinez.
“E njoh atë prej shumë kohësh. Ai ka qenë një lojtar fantastik për këtë klub dhe ka qëndruar shumë vite në të njëjtën skuadër. Ai ka qëndruar në kohë të mira dhe në kohë të këqija, por kjo tregon besnikërinë e lojtarit. A është ai aq i mirë sa zakonisht? Skuadra ka ndryshuar, ashtu si mosha e tij, por ai vazhdon të mbetet shumë i rëndësishëm”, ishte pjesa e deklaratës për gazetarët që klubi ka fshirë nga faqja e internetit.
Lampard është 8 gola pas Bobi Tambling në renditjen e të gjitha kohëve për klubin londinez dhe kërkon që deri në fund të sezonit ta kalojë atë duke u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Çelsit. (LajmeShqip.com)