Ekipi modest i Bredford ka arritur të shkruajë emrin në Librin e Artë të League Cup në Angli, pasi ka arritur finalen e turneut duke eliminuar Aston Vilën. Skuadra që militon në kategorinë e katërt është mundur 2-1 në takimin e luajtur mbrëmë në fushën e Aston Vilës, por falë suksesit 3-1 të ndeshjes së parë, arrin të shkojë në finale, ku do të ketë përballë një mes Çelsit dhe Suonsit që luajnë në gjysmëfinalen tjetër.
Për Bredford, një ekip i përbërë nga lojtarë që në total kanë kushtuar 7500 paund për t’u blerë dhe që janë kryesit ish-futbollistë të akademive të ekipeve të mëdha angleze, ky ishte suksesi i tretë ndaj një skuadre të elitës, pasi në këtë edicion kanë eliminuar nga turneu edhe Uigan dhe Arsenalin. Për të kuptuar arritjen e madhe të Bredford mjafton të shohësh se autori i golit, Xhejms Hanson, deri dy vite më parë punonte si punëtor në një supermarket për të mbajtur familjen e tij.
Kuptohet që kualifikimi në finale ka sjellë edhe një shpërblim nga drejtuesit e klubit, me një nga bashkëpronarët që ka sqaruar se ky ishte një premtim që u kishte bërë futbollistëve.
“Kjo është historike! I thashë atyre se nëse kualifikoheshim për finalen e “Uemblit”, do t’i çoja të gjithë lojtarët në Las Vegas, ndaj po bëhemi gati për udhëtimin në Las Vegas”, deklaroi bashkëpronari i klubit, Mark Loun. (LajmeShqip.com)