Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, duket se nuk ka ndër mend të heqë dorë nga deklaratat absurde. Në një intervistë të dhënë për “Sy Sport”, ai ka insistuar se tifozët e kundërshtojnë dhe vërshëllejnë vetëm për faktin se ai është i famshëm.
I pyetur se përse u vërshëllye nga 80 mijë spektatorët e pranishëm në “Uembli” kur dorëzoi medaljet e arta të futbollit të femrave gjatë Lojërave Olimpike në Londër, Blater lëshoi një batutë relativisht të çuditshme.
“Ato ishin vetëm pak vërshëllima dhe kontestime. Yjet kontestohen gjithmonë, ndaj unë jam një yll, duhet ta pranoni një gjë të tillë. Mendoja se publiku në Lojërat Olimpike do të ishte pak më shumë i edukuar”, tha ai.
Deklarata e çuditshme Blater ka vazhduar kur ai ka treguar se pasi t’i japë fund karrierës së tij te FIFA, do të dëshironte që të bëhej komentues ndeshjesh, në radio apo televizion.
“Do të dëshiroja të jetoja ëndrrën që kam pasur si fëmijë dhe të punoj në media si komentues radioje apo reporter ndeshjesh. A mund të bëja komentim televiziv? Po, por nuk do të rrija duke thënë e pasoi majtas apo djathtas topin, pasi atë gjë e shohin të gjithë. Unë do të preferoja të bëja komente mbi taktikën apo teknikën”, ishin fjalët e Blater. (LajmeShqip.com)