Lens Armstrong ka insistuar se nuk ka qenë duke mbrojtur askënd në intervistën e dhënë dy javë më parë, kur pranoi se kishte marrë substanca të palejuara gjatë karrierës së tij dhe fitoreve në Turin e Francës. Por në këtë intervistë ai nuk përmendi emra të përveçëm, ndonëse mendohet nga opinioni publik se ka pasur bashkëpunëtorë edhe në Federatën Ndërkombëtare të Çiklizmit.
Armstrong jo vetëm ka hedhur poshtë akuzat se po mbron persona të veçantë, por edhe ka sulmuar duke bërë të qartë se sporti i çiklizmit ka qenë gjithmonë i pushtuar nga historitë e mashtruesve, në një mënyrë apo një tjetër.
“Brezi im nuk është i ndryshëm nga ndonjë tjetër. “Ndihma” ka evoluar gjatë viteve por mbetet fakti që sporti ynë është shumë i vështirë, Turi i Francës u shpik si një “provë” dhe shumë persona të fortë konkurruan për një shekull a më shumë, duke kërkuar të gjithë avantazhe”.
“Nga kërcimi në trena 100 vite më parë, te EPO që përdoret sot. Asnjë brez nuk bën përjashtim apo ishte i “pastër”. As ai i Merks, as ai i Hino, as ai i LeMond, as ai Kopi, as ai i Xhimondi, as ai i Indurain, as ai i Anketil, as ai i Bartali, as i imi”, tha ish-çiklisti amerikan të cilit iu hoqën të 7 fitoret në Turin e Francës.
“Unë nuk po mbroja askënd në intervistën time. Unë isha aty për të folur për veten time, për eksperiencat e mia dhe gabimet e mia. Nuk isha për askënd tjetër. E di që kjo është kundër të gjithë asaj me të cilën ishim mësuar në vitet e fundit në botën e çiklizmit, por mua më interesojnë vetëm gabimet e mia” tha Armstrong i cili më pas kërkoi që të mos sulmohej vetëm ai, pasi i gjithë sporti i çiklizmit ishte i pistë dhe nëse shpallej amnistia e përgjithshme, shumë të tjerë do të dilnin të dëshmonin.
“E vetmja mënyrë është amnistia. Nuk është mënyra më e mirë, por e vetmja. Pavarësisht se unë jam në syrin e ciklonit, kjo nuk është vetëm për një çiklist, një drejtor dhe një skuadër. Kjo ka të bëjë me çiklizmin dhe sinqerisht mendoj për të gjitha sportet e vështira të rezistencës. Linçimi publik i një njeriu të vetëm nuk do të zgjidhë situatën”, tha ai. (LajmeShqip.com)