Karlo Ançeloti ka hedhur përkohësisht poshtë zërat se ka vendosur të transferohet te Real Madrid në sezonin e ardhshëm, pasi ka sqaruar se një vendim për qëndrimin apo jo te PSZH do ta marrë vetëm në fund të edicionit aktual.
“Nuk është e vërtetë se i kam thënë drejtuesve të klubit se dua të largohem nga PSZH. Vendimin tim do ta marr vetëm pasi të kem folur me drejtuesit, pasi të kemi siguruar titullin kampion. Ka ende kohë për ta bërë një gjë të tillë”, sqaroi trajneri italian.
Të premten, mediat franceze kishin publikuar lajmin se ishte zhvilluar një takim mes tij dhe presidentit Al-Khelaifi, ku i ka bërë të ditur drejtuesit se tani ishte koha e lamtumirave.
“Shtypi shkruan për akorde me Real Madrid apo klube të tjera, por unë nuk kam folur me askënd pasi dua të jem sa më i sinqertë me klubin për të cilin punoj aktualisht. Kam një kontratë deri në qershorin e vitit 2014, ndaj nuk jam i lirë të zgjedh unë se çfarë do të bëj. Të premten u detyrova të flas edhe me lojtarët, pasi qarkullonin shumë zëra, të cilët nuk ishin të vërtetë”, tregoi Ançeloti.
“E përsëris që në fund të kampionatit do të flas me drejtuesit, por nuk mund të siguroj 100% se do të qëndroj këtu”, ishte batuta e trajnerit që la plotësisht të hapur hipotezën e largimit të tij. (LajmeShqip.com)