Lajme Shqip Friday, 24 July 2015 13:23

Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin me 3 vjet e 6 muaj burgim për shtetasin Ervin Bajrami nga Vlora, i akuzuar për veprën penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, pasi ky shtetas, nëpërmjet shantazhit se do të publikonte në rrjetin social “Facebook” disa momente intime të një vajzë 15-vjeçare, i ka marrë asaj shuma të ndryshme parash.

Para nisjes së shqyrtimit gjyqësor, mbrojtja kërkoi gjykimin me procedurë të shkurtuar dhe gjykata pranoi këtë kërkesë, duke i dhënë të drejtën e përfitimit të 1/3 së dënimit për të akuzuarin nëse ai shpallet fajtor.

Në këto kushte, prokuroria kërkon si dënim përfundimtar 2 vjet e 4 muaj. Ngjarja për të cilën akuzohet 22-vjeçari ka filluar në verën e vitit 2014, kur e dëmtuara 15-vjeçare dhe i pandehuri rreth 22 vjeç, banorë të Vlorës, kanë nisur një lidhje intime.

Në fund të muajit gusht, i pandehuri Bajrami i ka kërkuar të dashurës së tij që të dalin shëtitje në Pyllin e Sodës dhe aty, nën kërcënimin se do ta dhunonte dhe do t’ia griste rrobat e do ta nxirrte nudo, e detyroi që të kryenin marrëdhënie seksuale.

Në ditët në vijim, i pandehuri nisi t’i bënte presion vajzës së mitur se, nëse nuk do t’i jepte shuma të ndryshme parash, do të publikonte në “Facebook” videon e momenteve seksuale mes tyre, për të cilat pretendonte se i kishte filmuar.

Vajza, nën kushte trysnie, i ka dhënë shuma të ndryshme parash nga të ardhurat familjare, të cilat arritën deri në rreth 1200 euro.

Mungesa e parave në shtëpi u konstatua nga mamaja e vajzës, e cila zbuloi se paratë i kishte marrë e dëmtuara, e cila nga ana e saj u detyrua të pranonte se i kishte marrë ajo paratë, nën kërcënimin psikologjik të të “të dashurit” të saj.

Pasi ka mësuar mbi ngjarjen, prindërit e së dëmtuarës kanë marrë takim me prindërit e të pandehurit dhe fillimisht kanë konkluduar që këtë ngjarje ta referonin në polici për hetime. Por më pas janë tërhequr nga kjo ide, pasi kanë marrë dakordësinë e të pandehurit që nuk do të vijonte ngacmimet dhe kërcënimet ndaj vajzës së dëmtuar.

Në kohën kur kjo çështje është diskutuar familjarisht, e dëmtuara nuk u kishte treguar familjarëve të saj për kryerjen e marrëdhënieve seksuale dhe se kërcënimi nga i pandehuri konsistonte pikërisht në faktin që ai i kërkonte para që të mos publikonte videon me momente seksuale. Mesa duket, ky element i mësuar pas takimit ndërmjet familjarëve, duket se ka nxitur babanë e së dëmtuarës që të kërcënojë me armë të pandehurin.

Ky i fundit, në tetor 2014 ka bërë kallëzim penal kundër babait të “ish-së dashurës”, pasi sipas kallëzuesit, babai i vajzës i ka dalë përpara në zonën bregdetare, duke e kërcënuar për marrëdhëniet e krijuara me vajzën e tij dhe, sipas kallëzimit, ka qëlluar dy herë me armë pistoletë në rërë, në formë kërcënimi.

Pas kallëzimit që i pandehuri Bajrami bëri ndaj të atit të vajzës për kanosje me armë, mamaja e të dëmtuarës bëri kallëzim për Ervin Bajramin, për kërcënimet dhe paratë që i ka marrë vajzës së saj.

Nga hetimi dhe gjykimi i kësaj çështjeje, Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar bindjen se i pandehuri Ervin Bajrami, i cili është nën masën e sigurisë “arrest me burg”, i ka konsumuar elementët e veprës penale për të cilat akuzohet.

I pandehuri Ervin Barjami gjatë hetimeve ka pretenduar se ka kryer marrëdhënie me dëshirë me vajzën në një rast, se ajo i ka dhënë me dëshirë në muajin shtator 20 000 lekë, pasi ishte i varfër dhe i duheshin për të ikur në Belgjikë.

Si rezultat i këmbënguljes së vajzës, ai ka deklaruar se nuk ka ikur në Belgjikë. Ai pretendon se nuk ka ushtruar dhunë psikologjike për t’i marrë paratë të dëmtuarës, por ajo ia ka dhënë me dëshirë, pasi ata duheshin. Ky është rasti i vetëm sipas të pandehurit, që vajza i ka dhënë lekë.