Lajme Shqip Saturday, 26 September 2015 10:47

Reperi Kanye West i cili është shprehur se do të garojë për president të SHBA-së në MTV “Video Music Awards 2015”, një muaj më parë, thotë se deklarata që ka bërë është serioze.

Megjithatë, reperi mendon se do t’i duhet pak kohë derisa të bëjë shpalljen zyrtare të kandidaturës së tij. West, i cili është i martuar me yllin e reality Tv Kim Kardashian ka deklaruar se po planifikon të kandidojë për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2020.

Në fakt deklarata e tij fillimisht u duk si një shaka, por i pyetur nga revista “Vanity Fair”, këngëtari i “Jesus Walks” tha: ” Përfundimisht, PO! ”

38-vjeçari, fitues i çmimit “Grammy”, tha se njerëzit fillimisht e pritën pozitivisht idenë për kandidimin, pavarësisht reputacionit që ai gëzon si njëri shpërthyes. I gjendur shpesh herë në telashe, West njihet si njeriu që është gjithmonë gati për të shpëtuar të tjerët. Dhe fakti që të metat e tij njihen publikisht, ai është ndoshta artisti i famshëm më i ndershëm që ka njohur bota e muzikës.

Megjithatë, West thotë se ka plot 5 vite kohë për t’u ulur dhe menduar, dhe gjithashtu edhe për t’u përgatitur për garën presidenciale. Ai nuk e ka vendosur ende se për cilën parti do të hedhë kandidaturën, por ka treguar se do të ndjekë shembullin e së ëmës.

Babai i West ka dy diploma masteri ndërsa e ëma është doktore shkencash dhe profesore anglishteje në universitet, si dhe ka punuar për organizatat për të drejtat civile.

“Është kënaqësi që të jesh një yll roku, por tani ka ardhur momenti që unë të ndjek rrugën e nënës sime”, ka thënë reperi.

Mbështetësit e West tashmë kanë krijuar një grupim politik të quajtur “Gati për Kanye” me shpresën se ai do të kandidojë për republikanët. Deri tani grupi ka 100 ndjekës në Facebook dhe Twitter.

Revista “Forbes” e renditi West këtë javë në vendin e 7-të si hip hop-istin më të paguar në botë, me përafërsisht 22 milionë dollarë të ardhura nga muzika, linja e tij e modës etj.