Lajme Shqip Wednesday, 21 September 2011 10:15

Prishtinë – Stadiumi i Prishtinës tashmë nuk është vendtakim vetëm i futbollistëve dhe i adhuruesve të futbollit.

Prej të premtes së 17 shtatorit, stadiumi i kryeqytetit kosovar është edhe vendi i përbashkët e komunitet gay dhe lesbike. Nën të gjenden shumë kafene, të cilat janë hapur vitin e kaluar. Por, në njërin nga ta, i quajtur “Pure Pure Lounge Bar”, është kafiteria e komunitetit gay dhe lesbike.

Portali LajmeShqip.com ka marrë ekskluzivisht faktet për hapjen e këtij bari. Në ueb-sajtin Gayromeo, që është një prej faqeve më të mëdha të internetit për këtë komunitet, është bërë lajmërimi për hapjen e lokalit.

“…përshëndetje. Për herë të parë në Kosovë është hapur kafiteria, që është e shoqëruar për komunitetin LGBT”, shkruhet në këtë njoftim, të cilin portali e sjellë në fotografi.

“Kafiteria quhet “Pure pure lounge bar”. Në këtë vend do të zhvillohen takimet gay, gay-party etj., nga dita e hënë deri në të shtunën është e hapur për ju, nga ora 08:00 pm deri në 23:00 pm”, thuhet tutje në këtë njoftim zyrtar, teksa shtohet se “njerëzit që duan të rrinë dhe të ndihen të rehatuar, mund ta gjejnë qetësinë në këtë vend”.

Në këtë njoftin thuhet se gay kafiteria “Pure Pure Lounge Bar” është edhe restaurant.
Të premten mbrëma në këtë kafiteri është mbajtur edhe ndeja e parë, me gay dhe lesbike.
Në këtë njoftim, janë caktuar edhe rregullat. Ndeja ka filluar në orën 20:00. Vetëm një orë ka qenë afati kur gay-t dhe lesbiket kanë pasur kohë të hyjnë brenda.

“Dera hapet në orën 20:00 deri në 21:00, pas kësaj ore dera nuk hapet”, shkruhet në njoftim. Por, ndeja aty ka vazhduar deri në orën 3 të mëngjesit.

“Rregullat: Ju lutem të vini pa fustane dhe të pagrimuar. Arsyeja: sepse jemi në qendër të qytetit dhe nuk duam që të lëndohet njeriu i komunitetit LGBT”, shkruhet në njoftimin e nënshkruar nga menaxheri i quajtur LALI.

Paparacët e Portalit LajmeShqip.com, të premten, mbrëma kanë shkuar afër gay kafiterisë “Pure Pure Lounge Bar”, për të parë si ecën rrjedha e hapjes. Aty nuk janë parë shumë njerëz duke pritur, ani pse ka pasur lëvizje. Në një moment kur paparacët kanë tentuar të fotografojnë, njëri nga personat që ka qëndruar aty, e ka lutur që të mos e bëjë një gjë të tillë. Madje, njëri nga ta, që është prezantuar si organizator, u ka thënë paparacëve që “nuk do të ishte mirë që të fotografohet lokali”, pasi që, sipas tyre, “ata ndihen në rrezik nga shoqëria e cila mund të mos e pranojë këtë kafiteri”.

Portali LajmeShqip.com e ka respektuar kërkesën e organizatorit dhe nuk do të publikojë fotografi të personave që kanë frekuentuar Gay-barin e sapohapur.

“Ne jemi të rrezikuar, duhet ta dini këtë. Dikush mund të na gjuajë këtu me bombë ose t’ia fusë komplet flakën”, ka thënë një person që është paraqitur si organizator. Hyrja në këtë ndejë ka qenë vetëm me ftesa. (LajmeShqip.com)