Lajme Shqip Sunday, 30 August 2015 09:19

Energjike, shpërthyese dhe gjithmonë e këndshme, Genta Ismajli ka aftësinë të pushtojë skenën me performancat e saj. Këngëtarja është rikthyer këtë verë me një këngë të re, të titulluar “Shkurt e shqip”.

Për këtë projekt, Genta ka treguar se ndonëse ka punuar intensivisht vetëm për 2-3 muaj, në të vërtetë për këtë bashkëpunim ka folur prej kohësh me kolegun e saj Labinot Tahiri.

Projekti është shpërblyer me një “feedback” pozitiv, ndërsa në rrëfimin e saj për “Bluetooth”, Genta na tregon edhe për jetën e saj private, projektet për të krijuar familje dhe qëndrimin e saj për zhveshjet në skenë.

Genta, u bënë pak javë që keni publikuar klipin e këngës “Shkurt e Shqip”. Prej sa kohësh keni punuar për këtë projekt dhe cilët janë autorët?

Kënga “Shkurt e shqip” është punuar nga studio “Bini”, me tekst të Avni Qailit dhe videoklip të “Urban Graphics”. Si projekt mund të them se ka zgjatur rreth 2-3 muaj me punë intensive.

Cili është komenti më interesant që ju është bërë për këngën?

Ka shumë të tilla dhe për momentin nuk po më shkon në mendje diçka shumë interesante.

Pse Labinot Tahiri? Si arritët në këtë bashkëpunim?

Siç e kam thënë edhe më herët, ne jemi kolegë të vjetër dhe gjithmonë kemi pasur interes për një bashkëpunim. Tani ishte momenti.

Cilat janë projektet e radhës? Do të presim së shpejti një këngë të re?

Sigurisht që po, tani sapo të përfundojë sezoni veror, pas një pushimi të vogël, do i futemi punës për projektet e radhës.

Gjatë muajve të fundit keni ardhur në bashkëpunime me këngëtarë meshkuj, Adrian Bujupi, 2 Ton, Da Lool… Pse këto zgjedhje?

Në fakt janë përzgjedhje të menaxherëve dhe sigurisht, duke parë suksesin e këtyre djemve dhe përshtatshmërinë, kemi arritur në projekte shumë interesante dhe të dashura për publikun.

Mbi cilat kritere i zgjidhni bashkëpunëtorët?

Gjithçka varet nga projekti, ideja dhe realizimi i diçkaje të mirëfilltë.

Së fundi është folur që i jeni nënshtruar një ndërhyrjeje në gjoks. Është e vërtetë?

Nuk e kam idenë për çfarë flitet.

Keni thënë se ‘fashion’ është droga juaj, megjithatë keni një model nga i cili inspiroheni?

Tani u bënë më shumë se 10 vite në skenë dhe besoj që gjithmonë kam sjellë diçka ndryshe dhe kam guxuar të sjell. Inspirimi është natyral dhe i përshtatshëm me kohën.

Mes kolegëve, cilët janë miqtë tuaj?

Kam shumë miq dhe jam e lumtur për këtë.

Po armiqtë?

Ndoshta mund të ketë, ende nuk jam në dijeni.

Ndonëse ke publikuar disa këngë të reja, duket se je tërhequr paksa nga jeta publike dhe shfaqjet në media. Është e qëllimshme? Për cilat arsye?

Jo, përkundrazi! Jam aty ku duhet të jem dhe të paraqitem.

Sipas jush, më mirë janë meshkujt nga Kosova, apo nga Shqipëria?

Nuk ia kam bërë këtë pyetje vetes.

Cila është koha e përshtatshme sipas jush për të krijuar familje?

E kam thënë shumë herë, gjithçka ka momentin e vet.

Nëse do të ndodhte diçka e tillë, do tërhiqeshit nga muzika për t’iu përkushtuar familjes dhe fëmijëve?

Është e natyrshme, deri në një pikë të caktuar.

Kohët e fundit kemi parë artistet të shfaqen të zhveshura në klipe. Sipas jush, shet sensualiteti dhe të zhvishesh?

Për mua është diçka normale, duhet të kuptohet njëherë e mirë se skena është skenë, klipi është klip.

Ku dhe me kë i keni kaluar pushimet e verës?

Nuk kam pasur pushime, sidomos gjatë verës.

Cili do të ishte udhëtimi juaj i ëndrrave? Nëse do ta realizoni një ditë, cili do të ishte shoqëruesi ideal?