Lajme Shqip Tuesday, 22 September 2015 16:45

Artikujt e shpërndarë javën e shkuar në median rozë, sipas të cilëve, ish-miss Albania Almeda Abazi ka mohuar prejardhjen e saj nga Shqipëria, kanë rezultuar të pavërtetë.

Bukuroshja zeshkane ka reaguar për këtë lajm, duke thënë se në Turqi e njohin dhe e pëlqejnë pikërisht sepse është shqiptare.

Për lapsi.al, Almeda Abazi shprehet se asgjë në ato çfarë shkruhet nuk është e saktë “Është shpikja më kot që kanë bërë rreth meje deri më sot. Akoma nuk e kam kuptuar se nga doli ky lajm i pavërtetë. Mua këtu në Turqi të gjithë më njohin si Almeda shqiptarja”.

Ish-miss Shqipëria e cila prej vitesh ka ndërtuar karrierën e saj në televizionin turk, u përfol ditët e fundit se për shkak të dashurisë me turkun Tolgahan Sayisman, i njohur si Çenari, ka preferuar të konvertohet në turke.

Por, sipas saj kjo nuk është e vërtetë pasi, edhe për këtë marrëdhënie nuk ka asgjë konkrete “Si mund të them që jam turke?! Aq më tepër për t’i bërë qejfin të dashurit, për të cilin nuk kam folur kurrë në media”, përfundon reagimi i Almeda Abazit.