Lajme Shqip Friday, 25 September 2015 15:44

Një kërkesë nga supermodelja izraelite Bar Refaeli për të mbyllur hapësirën ajrore mbi vendin ku do të mbahej ceremonia e martesës së saj, ka bërë që Ministria izraelite e Transportit dhe Autoriteti i Aviacionit Civil të ngrenë tonet.

Në të vërtetë, Autoriteti i Aviacionit Civil ishte pajtuar që hapësira mbi hotelin ku do të mbahej dasma të mbyllet, por ministri i Transportit, Yisrael Katz ka kërcënuar me shkarkim drejtuesin e Aviacionit nëse nuk e anulon vendimin e tij.

 “Qielli i përket të gjithë shtetasve izraelit dhe ne nuk mund të bëjmë trajtime të veçanta për një event, ose një tjetër”, citohet të ketë thënë ministri Katz.

Siç raporton “Jerulasem Post” në fund është zbatuar vendimi i ministrit dhe hapësira mbi hotelin në veri të Izraelit ka qëndruar e hapur, mirëpo disa media të tjera njoftuan se vendimi i mbylljes ka qenë në fuqi gjatë kohës së dasmës.

Supermodelja Bar Refaeli, e cila u martua me miliardierin izraelit Adi Ezra, ka kërkuar që hapësira ajrore të mbyllet për shkak se çifti dëshironte të ngrinte në qiell 5 dronë dhe 2 helikopterë që do të shërbenin për të filmuar dhe për të bërë foto nga lart.