Lajme Shqip Friday, 28 August 2015 13:46

Këngëtarja e mirënjohur britanike, Adele albumin e saj të ri do ta lansojë në nëntor të këtij viti.

Sipas raporteve nga “Billboard” albumi i ri titullohet “25” dhe do vazhdojë të mbajë zakonin e emërimit të albumeve në bazë të moshës së këngëtares, transmeton Koha.net. Ky album ka pasur që të lansohej në vitin 2014, por labeli i saj, XL Recordings e kishte shtyrë këtë lansim.

Këngëtarja e hitit “Rolling in the Deep” në albumin e saj të ri ka bashkëpunuar me Danger Mouse, Max Martin dhe yllin e OneRepublice, Ryan Tedder.

Albumi i saj i dytë “21” kishte thyer rekorde të mëdha, pasi ishin shitur rreth 11 milionë kopje, dhe ishte albumi më i shitur për vitin 2011 dhe 2012.

Përderisa nuk ka informacione se çfarë do të përmbajë albumi i ri i saj, këngëtari Ed Sheeran kishte thënë për “UK Capital FM” se ai ka dëgjuar fjalë shumë të mira për këtë album.

“Nuk e kam dëgjuar albumin e ri të Adele, por të gjithë që unë i njoh dhe që kanë punuar në këtë album më kanë thënë se është shumë, shumë i mirë”, është shprehur Sheeran.