Lajme Shqip Saturday, 25 July 2015 12:04

Instituti i Librit dhe i Promocionit në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit organizojnë në qytetin e Ulqinit, Panairin e 15-të të Librit “Ulqini 2015”, nga 26 korriku – 4 gusht 2015. Panairi i sivjetshëm realizon vazhdimësinë e traditës së organizimit të kësaj veprimtarie që pritet me shumë interes nga pushuesit në Ulqin gjatë këtij sezoni.

Veç librave nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, do të ekspozohen libra e do të marrin pjesë botues edhe nga Mali i Zi e pakicat e tjera kombëtare të kësaj republike.

Do të jenë ata që përfaqësohen vazhdimisht në veprimtari të tilla me karakter kulturor kombëtar, që vijnë nga e gjithë hapësira shqiptare e Rajonit tonë dhe që janë nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të botimeve shqiptare pas viteve ‘90.

Gati 40 botues do të jenë prezent gjatë ditëve të Panairit ose do të dërgojnë botimet e tyre më të mira të përfaqësuara nëpërmjet agjencive të shpërndarjes së librit.

ulqin2Në Panairin e librit në Ulqin parashikohet të ekspozohen dhe të ofrohen për shitje mbi 3500 tituj librash. Para së gjithash letërsi artistike të autorëve shqiptarë e të huaj por edhe histori, botime enciklopedike, guida turistike, letërsi për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e shqipes d he të gjuhëve të huaja, libra utilitarë për profesione të ndryshme, albume e katalogë gjithfarësh etj. etj. për lexuesit ulqinakë dhe pushuesit e huaj.

Është traditë e Panairit të Librit në Ulqin që të ketë në çdo edicion të ftuar të veçantë, personalitete nga fusha e kulturës, akademikë, administrata shtetërore apo politika. Kështu në vitet e mëparshme shiritin e inaugurimit të kësaj veprimtarie e kanë prerë personalitete të tilla si Dritëro Agolli, Rexhep Qosja,Ismail Kadare, Fatos Arapi, Fatos Kongoli, Ali Podrimja, Jevren Brkoviq, Luan Starova, Zuvdi Hoxhiq, Sreten Asanoviq, Aleksandër Stipçeviq, ministrat e Kulturës të Shqipërisë e të Malit të Zi, akademikë e parlamentarë të të dy vendeve, si dhe ish-presidenti i Shqipërisë Rexhep Meidani. Ndërsa në 5-vjetorin e këtij Panairi, prenë shiritin e tij presidentët e dy vendeve, Alfred Moisiu i Shqipërisë dhe Filip Vujanoviq i Malit të Zi.

Në ceremoninë e hapjes do të na nderojnë me praninë dhe fjalën e tyre kryetari i Kuvendit të Shqipërisë – z. Ilir Meta, ministrja e Kulturës së Shqipërisë – znj. Mirela Kumbaro si edhe kryetari i Kuvendit të Kuvendit të Malit të Zi – z. Ranko Krivokapiq, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës – z. Kadri Veseli, ministri i Kulturës të Malit të Zi – Pavle Goranoviq dhe ministri i Kulturës të Republikës së Kosovës – z. Kujtim Shala. Mbrëmja e ditës së dytë të Panairit do t’i kushtohet veprës së shkrimtarëve Fatos Kongoli dhe Gjergj Gjokaj. Edhe këtë herë, për të 15-in vit rradhazi ky event kulturor i rëndësishëm dhe tradicional do të bëjë bashkë edhe politikanë të niveleve më të larta të drejtimit dhe të vendimmarrjes legjislative të rajonit tonë, që me mesazhet dhe veprimtarinë e tyre do të kontribuojnë secili në vendin e vet për forcimin e marrëdhënieve politike, sociale dhe kulturore të popujve tanë fqinjë.

Toena– Tiranë; Instituti i Librit dhe i Promocionit – Tiranë; Helga Secret – Tiranë; Fan Noli – Tiranë; UET-Tiranë; Albas – Tiranë, Akademia e Shkencave – Tiranë; Onufri – Tiranë; Papirus – Tiranë; Uegen – Tiranë; Botart – Tiranë; Librari Elezi – Tiranë; Labova – Tiranë; Konica – Tiranë; Ada – Tiranë; Çamëria – Tiranë; Bota Shqiptare – Tiranë; Mesazhi – Tiranë; Logos A – Shkup; Thesari – Gostivar; Inter-Rina – Shkup; Lebbejke -Tetovë; ASR – Tetovë; Nun – Shkup; Dëshmia – Shkup; Sira – Prishtinë; Gama – Prishtinë; Vatra – Shkup; Faik Konica – Prishtinë; Ibas – Prishtinë etj./ATSH/