Lajme Shqip Thursday, 24 January 2013 20:47

Drama “Shën Maria e Beratit”, me autor dramaturgun Namik Dokle, e cila ka hapur sezonin dimëror në teatrin e Korçës “A.Z.Çajupi”, është pezulluar pas reagimit të komuniteti ortodoks në qytetin juglindor. Mihal Sanellari, prift ortodoks, e ka cilësuar dramën si blasfemuese ndaj ndjenjave të komunitetit ortodoks dhe institucionit të Kishës Ortodokse.

“Kjo dramë u luajt me paturpësinë më të madhe në nivele artistike mediokre përpara qytetarëve të Korçës. Me një skenar bazuar tërësisht mbi gënjeshtra historike, të tipit PPSH, Dokle dhe një takëm si ai nuk më shqetësojnë, sepse nuk kemi si të themi kur flasim për komunistë të lindur dhe që pa dyshim do të vdesin të tillë. Dua t’i kujtoj zotit Dokle që të mos fyejë dhe provokojë ortodoksët e këtij vendi me mashtrime diabolike.

Patriarkana Ekumenike është institucioni më i lartë i Kishës Ortodokse dhe nuk mundet të përgojoset nga një lloj Dokle, ndërsa sa për Shën Kozmain, është një nga figurat më të larta dhe të nderuara në këto treva dhe në gjithë ortodoksët, por jo vetëm”, – thotë në deklaratën e tij publike, që përfaqëson në fakt një qëndrim personal të priftit ortodoks, por që është mbështetur edhe nga një pjesë e komunitetit ortodoks. Gjithçka e ka zanafillën në një qëndrim personal të një prifti ortodoks, bërë publike madje edhe në faqen e tij në Facebook e që është përhapur më pas me shpejtësi në të gjitha forumet dhe blogjet duke shkaktuar reagime pro dhe kundër.

Deri mbrëmjen e djeshme nuk ka patur asnjë deklaratë zyrtare nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë në lidhje me dramën “Shën Maria e Beratit”, por mësohet se Mitropolia e Korçës e ka mbështetur deklaratën e priftit Mihal Sanellari. Drejtoresha e Teatrit “A.Z.Çajupi” në intervistën për ‘Mapo’-n është shprehur se shkaku i pezullimit të shfaqjes nuk ka asnjë lidhje me pretendimet që ngre një pjesë e komunitetit ortodoks, por për arsyen e thjeshtë se aktorët kishin nevojë për pushim.

Ky reagim ka ardhur pasi drama është shfaqur për pesë net me radhë në skenën e teatrit “A.Z. Çajupi” dhe ka ngjallur interesin e madh të publikut korçar.(LajmeShqip.com)