Lajme Shqip Wednesday, 30 March 2011 10:37

Durrës – “Bibliografia shqiptare” e autorit Emil Legrand është botimi i fundit i kolanës “Trashëgimi e kulturës kombëtare”, që është publikuar nën kujdesin e Qendrës për koordinimin e studimeve dhe propagandimin e vlerave kombëtare.
Redaktori shkencor i veprës, Halim Maloku, tha për ATSH-në se ky është një ribotim mjaft i kujdesëshëm i “Bibliografisë shqiptare”, të botuar në vitin 1912 njëkohësisht në Paris dhe në Athinë.
Në 230 faqet e librit të Shtëpisë botuese “Design Dream Studio” të Durrësit janë risjellë 724 zëra të botimeve në gjuhën shqipe dhe mbi Shqipërinë nga shekulli i 15-19. Vepra e studiuesit francez, Emil  Legrand, i cili vdiq në vitin 1904, u plotësua më vonë nga Henry Guys.
Botimi i bibliografisë së Emil Legrand ka si qëllim pasurimin e bibliotekave tona si një vepër e rrallë dhe e nevojshme për studiuesit dhe studentët e kulturës shqiptare, tha redaktori Maloku.
Shtëpia botuese DDS dhe redaktori shkencor kanë përgatitur tashmë ribotimin e vëllimit të tretë të revistës “Albania” që drejtohej nga Faik Konica. Botimi i dy vëllimeve të para, që përmbledhin periudhën mars 1897-dhjetor 1898, ka ngjallur interesimin e studiuesve shqiptarë në vendin tonë, Kosovë dhe Maqedoni.