Lajme Shqip Monday, 28 January 2013 17:58

Tiranë – Saint-John Perse është padyshim poeti francez më i pazakontë. E kanë quajtur poetin më të madh të shekullit XX, e kanë cilësuar si të paklasifikueshëm, pa pararendës e, natyrisht, tejet të vështirë. Poezisë së tij i janë kushtuar shumë studime, poezia e tij është përkthyer në shumë gjuhë të botës nga poetë e përkthyes të shquar, poezia e tij është nderuar me shumë çmime të rëndësishme.

Vlerësimet janë të merituara, studimet të pashtershme, përkthimet gjithmonë të kënaqshme, por asnjëherë të arrira plotësisht.

Ndjesia e parë e atij që lexon poezinë e Saint-John Perse-it është habia dhe mrekullimi. Kush e lexon shumë herë e i rikthehet vazhdimisht, mbase ka gjasa të provojë edhe ndjesi të tjera. Habinë e shkaktojnë guximi i imazheve të papritura dhe metaforat e pahasura më parë; mrekullinë e shkakton gjuha, stili i lartë e i paimitueshëm, i mbrujtur me ngarkesën më të mprehtë emocionale, me thellësi mendimi vizionar, me një simbolikë-krejtësisht vetjake, me pasurinë më të madhe të shprehjes, me një sintaksë poetike të pakrahasueshme, me fjalorin e admirueshëm të mbarsur me terma nga të gjitha fushat e dijes, me fjalë që evokojnë histori semantike që nga zanafilla e gjuhës.

Ai është nga ata shkrimtarë që i ngrenë mundësitë shprehëse të ligjërimit poetik në shkallët më të larta.

Në gjithë aksionin e tij poetik, Saint-John Perse, me poezinë e tij të shkruar në versete të ritmuar, ku spikatin me ngulm gjithë elementet që e bëjnë poezi një tekst të shkruar e që e ndajnë përgjithmonë nga çdo formë proze, bëri zgjerimin e lartësimin më të hijshëm të gjuhës frënge, të burimeve muzikore e plastike të saj. Poet i tokës dhe detit, por edhe i qiellit, poet i harmonisë dhe ndeshjes së elementeve të natyrës dhe mendjes njerëzore, i përshkrimit të gëzimeve të përditshme të njeriut me humbjet dhe ngadhënjimet e tij, me poezinë e tij të hapësirave të gjera, poezi jashtë çdo kohe dhe hapësire – përherë në kërkim të krijimit dhe të zbulimit të misterit të Qenies – Saint-John Perse-i vuri rregull në kaosin e përgjithshëm.

Ky, për të cilin po flas, është Saint-John Perse-i i vërtetë, ai që shkruan në frëngjisht, dhe jo Saint-John Perse-i që kam përkthyer unë në shqip.

***

Kur vendosa të përktheja diçka nga vepra poetike e Saint-John Perse-it, më erdhi në mendje një si përkufizim i Paul Valery-së për poetin, që besoj se mbetet gjithmonë i vlefshëm në fushën e krijimit poetik. “Poeti është një lloj i rrallë përkthyesi, që përkthen kuvendimin e përditshëm, të ndryshuar nëpërmjet një emocioni, në “një gjuhë hyjsh”; dhe puna e tij shpirtërore synon më pak në kërkimin e fjalëve për idetë e veta, sesa në kërkimin e ideve për fjalët e tij dhe ritmet mbizotërues.”

Kështu, të përkthesh poezinë (e, në këtë rast, poezinë e S.-J. Perse-it) i bie të përkthesh përkthimin. Mendoni ç’punë e vështirë e, në analizë të fundit, sa e pasuksesshme. Dhe përgjegjës për dështimin është veçse përkthyesi. Të vetmin ngushëllim ai ka kënaqësinë e përkthimit si akt krijimi. Prandaj, ka ca kohë që më është mbushur mendja që emri i përkthyesit duhet të vendoset që në kopertinën e librit që ai përkthen. Kjo nuk është mungesë modestie dhe as nojmë krekosjeje, por vetëm një shenjë përgjegjësie. Ka nga ata që mendojnë se emri i përkthyesit në libër duhet të jetë sa më i zbehtë, i mezidukshëm, i fshehur, gati i kthyer në asgjë. Por, të mendosh në këtë mënyrë do të thotë të njëjtësosh veprën origjinale me veprën e përkthyer. Dhe ky është një gabim i madh. Ka përkthim për aq sa të lejojnë dallimet midis gjuhëve. Gjatë përkthimit të këtyre poemave që po i paraqes lexuesit në këtë libër, kuptova se ato nuk janë poemat e Saint-John Perse-it, por janë poemat e Saint-John Perse-it sipas meje.

Megjithatë, ka ca ide që thonë se poezia që përkthehet humbet diçka nga gjuha e vet dhe fiton diçka në gjuhën tjetër. Ndoshta. Por nëse poezia e Saint-John Perse-it ka fituar diçka në gjuhën tonë, këtë nuk jam në gjendje ta them tani, dhe aq më pak unë, përkthyesi.

Tri poezi nga Saint-John Perse

 

Harku

  Para fishkëllimave të oxhakut, i ngrirë nën pelerinën

me lule, ti sheh si valëviten gjuhët e ëmbla të flakës. – Por 

një kërcëitje plasarit hijen që këndon: është harku yt, në

gozhdë, që bën krak. Dhe hapet gjatë gjithë pejzës së tij të 

fshehtë, si thelbi i vdekur në duart e pemës luftëtare.

Fara

  Në një poç e ke futur, farën e purpurt mbetur në 

shevronë tënde. 

  Dhe ajo nuk ka mbirë.

Libri 

  Dhe ç’rënkim pastaj në gojën e oxhakut, një mbrëmje

shirash pa mbarim në rrugëtim drejt qytetit, të trandte në 

zemër lindjen e errët të ligjërimit:

  “… Një mërgimi të ndritshëm – e më të largët tashmë

se shtrëngata që gjëmon – si t’ia ruash, o Zot, rrugët që ju

m’i dhatë?

  “… S’do m’i linit vallë tjetër veç vagullimin e mbrëmjes 

– mbasi më mëkuat, një ditë të tërë, me kripën e vetmisë

suaj,

  dëshmitar i heshtjeve, hijes dhe zërave tuaj 

shkrepëtitës?” 

 

  – Kështu ti qaheshe, në vagullimin e mbrëmjes.

  Por ndën dritaren e mugët, përpara qoshes së murit

kundruall, kur s’kishe mundur të ringjallje shkëndritjen

e humbur,

  atëherë, duke hapur Librin,

  ti shëtisje gishtin e kapitur mes profecive, pastaj me 

sytë ngulur larg, prisje çastin e nisjes, gufimin e erës së 

madhe që do të rrëmbente me një shkulm, si një tajfun që 

çan retë para pritjes së syve të tu.

 

1904

Biografi

Alexis Saint-Leger Leger (Saint-John Perse) u lind në Guadalupë më 31 maj 1887. Kohën e lirë të Aleksit të vogël e zënë kalërimet dhe lundrimi. Mësimet e para i merr në shtëpi. Një oficer i vjetër marine nis t’i mësojë matematikën, një fetar latinishten dhe At Antoine Duss botanikën. Orientimet e poetit mbajnë tashmë vulën e detit, shkencave natyrore, filozofisë. Në vitin 1904 hyn në Universitetin e Bordosë, regjistrohet në fakultetin e drejtësisë, duke ndjekur njëherazi kurse të filozofisë aleksandrine, greqishtes, gjeologjisë dhe mjekësisë. Në këtë periudhë nis të shkruajë “Imazhe për Kruzonë” (Images à Crusoé) dhe përkthen disa tekste nga “Epiniket” e Pindarit. I ndërpret studimet për një vit për të bërë shërbimin ushtarak në Pau, në regjimentin e 18-të të këmbësorisë. Por, më 1907 vdekja e të atit e shtrëngon të riun Leger t’i ndërpresë edhe njëherë studimet. Shkruan poemën “Lëvdata” (Éloges) që do të botohet më 1910 nën kujdesin e André Gide-it. Nis jetën revista La Nouvelle Revue Française, e cila do të luajë një rol të rëndësishëm në jetën letrare të Alexis Leger-së. Në vitet 1916-1921 është sekretar i ambasadës franceze në Pekin. Udhëton në brendësi të vendit dhe i frymëzuar nga Mongolia shkruan poemën “Anabaza” të cilën e boton me pseudonimin Saint-John Perse. Për njëzet vitet në vazhdim ai është i angazhuar me detyra të rëndësishme si diplomat. Qëndrimi i tij ndaj nazizmit, ishte që në fillim armiqësor. Thuhet se shumë shkrime politike dhe letrare u kapën nga gjermanët në banesën e tij qysh nga hyrja e këtyre të fundit në Paris, në qershor 1940, dhe nuk janë gjetur më.

Në 13 vitet pas luftës ai ngulitet në Uashington, fillimisht ambasador, e më pas i lirë të udhëtojë e të lundrojë përgjatë brigjeve amerikane të Atlantikut. I ndikuar nga këto përvoja, shkruan poemën “Amers”, e cila u botua më 1957.

Më 1960 i jepet çmimi Nobel për letërsinë. Mban një ligjëratë rreth veprimtarisë poetike, e cila botohet më pas me titullin “Poezi”. Botohet poema “Zogj” e ilustruar me poemat e Georges Braque-ut. Më 1975, i dhuron qytetit Aix-en-Provence fondin e dorëshkrimeve dhe bibliotekën vetjake. Vdes më 20 shtator 1975. Varrimi i tij kryhet me pak vetë. (Shekulli/LajmeShqip.com)