Lajme Shqip Saturday, 11 February 2012 15:55

Menjëherë pasi u shpall fituese e edicionit të parë të “The Voice of Albania”, shqiptarja e Kosovës Rina Bilurdagu është përballur me një seri fyerjesh nga shqiptarët e Shqipërisë, të cilët kanë postuar komente në faqen zyrtare të “The Voice…” në rrjetin social “Facebook”.

Shumica e komenteve kanë qenë fyese ndaj Rinës dhe kombësisë së saj nga Kosova. Me qindra komente e kanë cilësuar Rinën si “një kosovare e cila nuk di të këndojë” dhe si një “person që përpos hundës së madhe nuk ka asgjë tjetër”.

E menjëherë pas këtyre komenteve, ka reaguar njëri prej mentorëve. Ka qenë Elton Deda ai që i pari i ka quajtur këto komente raciste.  

“Duke lexuar komente raciale drejtuar të njëjtës racë, me dhimbje konstatoj se fisnikëria e kombit është në zhdukje e sipër. “The Voice of Albania” i ka shërbyer bashkimit dhe jo përçarjes. Thirrini mendjes sa nuk është vone!”, ka shkruar Deda në faqen e “The Voice” në “Facebook”.  

Menjëherë pas këtij postimi kanë vërshuar komentet nga kosovarët dhe shqiptarët të cilët kanë filluar një “luftë” mes vete duke shkruar se kush e ka merituar dhe kush jo.  

Rina Bilurdagu u shpall fituese të premten mbrëma pasi kishte kaluar 17 javë të emisioneve. E dyta doli Marsela e cila po mbrohet më shumë nga shqiptarët e Shqipërisë. (LajmeShqip.com)