Lajme Shqip Thursday, 24 January 2013 17:59

TIRANË – Mozaiku “Shqipëria”, më i madhi i këtij lloji në vend, që ndodhet në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar është dëmtuar dhe kanë filluar të bien pjesë nga kjo vepër unikale.


Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka akuzuar institucionet përgjegjëse për këtë vlerë të trashëgimisë kulturore duke thënë se ajo është dëmtuar për shkak të indiferencës nga ana e tyre.


“Në qoftë se ministri, para disa ditësh deklaroi që kisha e Valshit u dëmtua nga dhunues dhe jo nga indiferenca, sot kemi faktin më të prekshëm që ky mozaik po bie nga indiferenca, nuk ka grabitës, por indiferencë totale e shtetit”, u shpreh për mediat Artan Shkeli, anëtar i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.
Një prej autorëve të mozaikut, Aleksandër Filipi, në një prononcim për mediat tha se artistët që e krijuan punuan brenda standardeve më të mira të kohës dhe se restaurime të herë-pas-hershme do ta ndihmonin të mos degradojë.


Mozaiku i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar është një vepër e realizuar në vitin 1981 nga një grup artistësh si, Vilson Kilica, Josif Dobroniku, Agim Nebiu, Anastas Kostandini, Aleksandër Filipi. Ai ka një sipërfaqe prej rreth 440 metrash katrorë, me përmasa 40×11 metra. Suporti i tij përbëhet nga një panel me llaç çimentoje, brenda të cilit është përfshirë një skarë hekuri. Mbi skarën e hekurit është vendosur një shtresë e hollë fine, po llaç çimentoje, mbi të cilën janë vendosur teserat.   

  
Sipas Kreut të Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Tiranës, Arbër Kadia mozaiku është zbatur gabim që në fillimet e tij, është i destinuar fatkeqësisht të prishet dhe situata është e pakthyeshme. Ndërsa drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Luan Malltezi ka deklaruar se do të ngrihet një grup pune me specialistë për të marrë vendimin se çdo të bëhet me këtë mozaik. Gjatë vitit që shkoi mozaiku “Shqipëria” ka qënë i mbuluar për arsye restaurimi. MTKS ndërmori një studim mbi mozaikun dhe u fol për një restaurim të tij.(LajmeShqip.com)