Lajme Shqip Monday, 31 August 2015 10:30

Akademik Mark Krasniqi gati një shekull të jetës së tij e kaloi në shërbim të idealit kombëtar. Jetoi një jetë me plot peripeci, duke qenë dëshmitar dhe pjesëmarrës në momente të vështira nëpër të cilat kaloi Kosova

Megjithatë, ai gjithmonë ishte optimist. Madje deri në minutën e fundit të jetës së tij nuk pushoi së kontribuuari në fushën e shkencës dhe të çështjes kombëtare. E gjithë veprimtaria e tij shkencore, letrare, publicistike dhe publike përshkohet me mesazhe të qarta optimizmi. Mesazhi i fundit në librin që doli nga shtypi vetëm një ditë para vdekjes ishte: bashkimi kombëtar. Ai vdiq më 28 gusht, në moshën 95-vjeçare, ndërsa të dielën iu dha lamtumira e fundit, shkruan sot Koha Ditore.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës mbajti komemoracion me rastin e vdekjes së tij.

E pranishme në këtë mbledhje ishte edhe presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa, si dhe akademikë, studiues, familjarë e miq të të ndjerit. Pas mbledhjes përkujtimore, të pranishmit bënë homazhe pranë arkivolit të mbuluar me flamurin kombëtar, që zuri vend në hollin e ASHAK-ut. Ndërsa të tjerët lanë kujtimet e fundit në librin e zisë, të vendosur në hyrje të Akademisë. Portreti i Krasniqit me një shirit të zi sipër dhe një vazo me lule të bardha qëndronin mbi tavolinën ku shkruheshin kujtimet për të.

Pas mbledhjes komemorative kortezhi u nis për të bërë homazhe dhe nderim para shtatores së presidentit historik Ibrahim Rugova, më pas tek shtatorja e Skënderbeut dhe Nënës Terezë në sheshin e Prishtinës. Kortezhit i paraprinin valltarë të ansamblit të këngëve dhe valleve “Shota”, ndërsa trupi i pajetë i Krasniqit bartej me veturë. Derisa kortezhi dhe familjarë e miq parakalonin nëpër qendër të kryeqytetit, të tjerët që pritnin nën hijen e ish-hotel “Unionit” iu bashkuan rrugëtimit deri tek stacioni i fundit.

Krasniqi e kishte lënë amanet që varrimi t’i bëhej në mënyrë kombëtare. Me shkrim ka kërkuar që ceremonia të jetë e thjeshtë. Për këtë kishte lënë gati varrin e tij, që ka të gdhendur portretin dhe shqiponjën. Në varrim ishin të pranishëm një numër goxha i madh i miqve dhe familjarëve të Krasniqit.

E nën drejtimin e akademikut e kompozitorit të njohur Rauf Dhomi, Kori i përbërë prej gjashtë burrave interpretonte teksa trupi i pajetë i Krasniqit lëshohej në varr.

“…Tani ke për t’u ndarë dhe kurrë më s’kemi për t’u parë. Lamtumirë, lamtumirë dhe lavdi u qoftë përherë…Zoti qoftë me ju”!