Lajme Shqip Wednesday, 23 January 2013 16:35

Korce – Rrënojave të kishës së Shën Palit, që dolën në dritë gjatë një ekspedite arkeologjike shqiptaro-greke pak vite më parë dhe Kishës së Shën Mërisë, e cila njihet si Monument Kulture prej kohësh, tashmë iu ka dalë edhe pronari i truallit. Të dyja ndodhen në ishullin e Malingradit në Liqenas të Korçës.

“Këtë herë pronarët “fantazmë”, me një vendim të AKKP-së kanë përvetësuar pronat në fjalë me dokumentacion”, thotë kreu  i kësaj komune, Edmond Themelko.

Kryekomunari i Liqenasit shprehet se: “ne si komunë i kemi refuzuar pretendimet e kësaj natyre, pasi këto prona kanë qenë pjesë e kishave dhe pjesë e pronave që janë ndarë me ligjin 7501 në fshatrat Kallamas dhe Goricë. Atëkohë nuk kemi firmosur asnjë dokument dhe tani e ndjejmë veten të habitur nga vendimi i AKKP-së. Ne do të kërkojmë një informacion të plotë dhe të saktë nga AKKP-ja. Nëse gjithçka rezulton kështu, atëherë është një problem i madh që duhet t’i gjendet një zgjidhje. Objektet duhet të ruhen dhe të mbrohen nga institucionet.  Ato nuk duhet të shiten apo t’i kthehen ndonjë pretenduesi të quajtur ish–pronar. Asnjëri nuk është dhe nuk mund të jetë pronar i një objekti kulti apo objekteve historike, ky është realiteti”.

Themelko pohon se të gjitha objektet e kultit janë kisha të shekullit të 14, 15 dhe 16-të dhe nuk ka asnjë logjikë që të dalë ndonjë ish- pronar.

Ai deklaron se janë në pritje të një sqarimi të plotë nga AKKP, dhe nëse nuk e marrin, do t’i drejtohen gjykatës.(T.O/LajmeShqip.com)