Lajme Shqip Wednesday, 30 September 2015 13:56

Kompozitori Karl Jenkins e ka cilësuar fanatizëm që ngjall konflikte fetare ndalimin e interpretimit të veprës së tij në katedralen e Nelsonit, në Zelandën e Re, shkruan sot “Koha Ditore”.

Reagimi i tij vjen dy javë pasi mediat lokale raportuan se vepra “The Armed Man: A Mass for Peace” – që kompozitori ua ka dedikuar viktimave të luftës së fundit në Kosovë – nuk ishte lejuar të interpretohej në Katedralen e Nelsonit, për shkak të përmbajtjes. Vepra përfshin himnin e krishterë të shekullit IV dhe Ezanin.

Sipas artikullit të publikuar në “stuff.co.nz”, me titull “Ndalimi i një koncerti për shkak të përmbajtjes islamike është ‘fanatizëm’ religjioz”, kompozitori uellsian, që mban titullin Sir, ka kritikuar vendimin e kreut të Katedrales Kristiane, Nick Kirk, për të mos qenë nikoqir i veprës për shkak se përmban thirrjen e ezanit.

“’The Armed Man’ më herët ishte interpretuar në shumë katedrale në Britani të Madhe e jashtë saj dhe refuzimi për shkak së aty përfshihet ezani është pjesë e fanatizmit që ka çuar në kaq shumë konflikte e luftëra”, citohet të ketë thënë Jenkins për radiostacionin britanik “Classic FM”.

Vepra të cilën Jenkins e kompozoi më 1999 është interpretuar gati 2 mijë herë në vende të ndryshme të botës. Në Kosovë një pjesë e saj u interpretua për nder të 7-vjetorit të Pavarësisë më 17 shkurt. Ndërsa me një formacion prej mbi 120 vetash, kjo vepër u interpretua e plotë për herë të parë në Kosovë në koncertin e Filarmonisë së Kosovës, në Sallën e Kuqe, në mars të këtij viti. Vetë kompozitori Karl Jenkins qe i pranishëm në koncertin 60-minutash. Me këtë rast atij iu nda “Medalja presidenciale e meritës”.

Në interpretimin e kësaj vepre në Prishtinë ezani u këndua nga tenori Liridon Sadriu, por në vende të tjera zakonisht është myezini i cili ngjitet në skenë. Rasti i Zelandës së Re nuk është i pari. Në një intervistë për “Kohën Ditore”, Jenkins kishte treguar se kishte hasur në kundërshtime edhe në vende të tjera.