Lajme Shqip Friday, 25 September 2015 13:29

Shoqata e karikaturistëve të Kosovës “Thumbi”, e cila u rifunksionalizua në fillim të vitit, duke mëtuar të realizojë një festival ndërkombëtar, është përçarë ende pa finalizuar projektin kryesor.

Festivali i parë ndërkombëtar i karikaturës “Kosova 2015” është bërë shkak që disa anëtarë të “Thumbit” të heqin dorë nga shoqata. Ndërrimi i logos së shoqatës, motos së festivalit, anëtarët e jurisë dhe vlera monetare që parashihet t’u ndahet fituesve të festivalit, janë ndër arsyet që përmendin karikaturistët që janë të pakënaqur me punën e “Thumbit”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Disa prej tyre e akuzojnë drejtorin e Shoqatës së karikaturistëve të Kosovës, Agim Krasniqi-KrAgi, se po punon krye më vete për realizimin e edicionit të parë të festivalit, të cilin ata veçse e kanë bojkotuar. Në anën tjetër, Krasniqi e ka në plan ta vazhdojë organizimin e festivalit me moton “Hello Europe” përderisa akuzat i quan të pabaza.

Deri më tani karikaturistë të 40 shteteve u janë përgjigjur ftesës për pjesëmarrje në këtë festival, që do të finalizohet më 28 tetor me ndarjen e çmimeve. Për realizimin e tij “Thumbi” nga buxheti i shtetit ka marrë vetëm 2 mijë euro, të cilat ia ka ndarë Komuna e Prishtinës.

Murat Ahmeti, një ndër themeluesit e shoqatës, e ka akuzuar Krasniqin se e ka shndërruar “Thumbin” në shoqatë familjare.

Karikaturistët e Kosovës nga fillimi i këtij viti janë bërë bashkë në një shoqatë. E në takimin e parë, që ishte mbajtur në fund të muajit mars, ata kishin zgjedhur anëtarët e bordit. Agim Krasniqi ishte emëruar drejtor i shoqatës së karikaturistëve të Kosovës “Thumbi”.

“Ne deri para një jave kemi qenë duke e organizuar festivalin dhe kemi qenë shoqatë kompakte, por ndërkohë lindën probleme me kryetarin. Ai punonte kokë më vete, si në logon e shoqatës, pllakatin e festivalit, jurinë profesionale në të cilën u fut edhe vetë pa pyetur askënd”, ka thënë Hasan Bytyçi.

Bytyçi ka shtuar se në kushte të tilla ai bashkë me Muratin dhe kolegen e tyre Ibadete Avdiu, anëtare e bordit të “Thumbit”, kanë hequr dorë nga shoqata.

Por, në anën tjetër, Agim Krasniqi – KrAgi, thotë se nuk e ka ndërmend të ndalojë mbajtjen e festivalit.