Lajme Shqip Wednesday, 28 October 2015 16:22

Një ekspozitë që paraqet një komb evropian që ia kishte dalë të shpëtonte hebrenjtë gjatë Holokaustit – Shqipëria, me shumicë myslimane – do të hapet javën e ardhshme në Winnipeg, Manitoba, Kanada.

“BESA: A Code of Honour” tregon rrëfimin e asaj se çfarë ka ndodhur në Shqipëri gjatë Holokaustit. Gjatë okupimit nazist, pothuajse të gjithë hebrenjtë që jetonin përbrenda kufijve të Shqipërisë, ata me origjinë shqiptare dhe shumë refugjatë hebre që vërshuan vendin, u shpëtuan.

Ekspozita nga Yad Vashem nga Jerusalemi, që nis të hënën në Winnipeg, ka për bazë okupimin gjerman më 1943 kur popullata shqiptare refuzoi t’u bindej urdhrave të okupatorit për dorëzimin e hebrenjve që jetonin brenda kufijve shtetëror. Agjenci qeveritare u ofruan shumë hebrenjve dokumente të falsifikuara që u mundësonte atyre të jetonin në mesin e pjesës tjetër të popullatës.

Shqiptarët i shpëtuan hebrenjtë dhe ofruan strehim për refugjatët hebre në Shqipëri. Ndihma ndaj hebrenjve ishte e bazuar në Besën shqiptare, një kod nderi që, siç shkruan “Winnipeg Free Press”, vazhdon të ekzistojë edhe sot në Shqipëri dhe nënkupton “mbajtjen e premtimit”. “Besa” konsiderohet edhe si çështje e nderit kombëtar, transmeton Koha.net.

“Gjatë Holokaustit, shqiptarët myslimanë garonin me njëri-tjetrin për privilegjin e shpëtimit të hebrenjve. Këto veprime u kryen nga dhembshuria, dashamirësia dhe dëshira për t’i ndihmuar ata në nevojë, edhe pse mysafirët ishin të një besimi tjetër”, shkruan WFP.

Si rezultat i kësaj, në Shqipëri kishte më shumë hebre në fund të luftës sesa që kishte në fillim.

Ekspozita në Galerinë “Mennonite Heritage Centre” prezantohet nga Qendra “Freeman Family Foundation Holocaust Education Centre”. Më 3 nëntor do të shfaqet edhe një film një-orësh që do të tregojë këtë rrëfim në galeri në Bulevardin 500 Shaftesbury.