Lajme Shqip Friday, 25 September 2015 15:53

Ndonëse po bëhet një vit e 9 muaj që ishte planifikuar që Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Biblioteka Qendrore Universitare të nisin punën ndaras, e para ende po ballafaqohet me problemet e ndarjes, ndërsa e dyta ende nuk ka arritur të jetë funksionale për studentët.

Sipas vendimit që e kishte marrë Ministria e Kulturës për ndarjen e ish-Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës në Bibliotekë Kombëtare dhe Biblioteka Qendrore Universitare, këto dy biblioteka nga 3 janari i vitit 2014 do të nisin punën ndaras.

Edhe pse Biblioteka Universitare ndodhet në një objekt të porsandërtuar, sa i përket funksionalizimit po përballet me disa vështirësi pasi objekti ku është vendosur kjo bibliotekë ka qenë i paraparë vetëm për vendosjen e Institutit të Historisë të Kosovës, por tani me disa modifikime është kthyer në Bibliotekë Universitare.

Se biblioteka e re po ka probleme të funksionalizohet e ka pranuar për KosovaLive udhëheqësi i Këshillit Drejtues të kësaj biblioteke, Shaban Buza, i cili tregon se ende nuk është bërë pranimi teknik i objektit, pasi ka problem me rrjedhjen e shiut nga kulmi dhe dritaret, probleme me ujërat e zeza e të tjera.

Përveç këtyre problemeve që ka objekti, kjo bibliotekë nuk ka hapësirë të mjaftueshme për të plotësuar kushtet e një biblioteke qendrore universitare, siç iu ka dhënë emri, pasi ka vetëm dy salla leximi.

Biblioteka Universitare

“Objekti nuk e ka përshtatshmërinë e duhur të sallave dhe hapësirave pasi që nuk është projektuar për bibliotekë. Një pjesë e sallave shfrytëzohet nga administrata e përgjithshme e universitetit, andaj pas pranimit teknik dhe konstatimit të gjendjes, menaxhmenti i bibliotekës do të bëjë sistemimin e sallave, hapësirave dhe pajisjeve përkatëse”, ka thënë Buza.

Ai shpreson se kjo bibliotekë pas funksionalizimit të saj do të mund të ofrojë kushte optimale për studentët dhe personelin akademik për aktivitetet e tyre studimore dhe hulumtuese.

Momentalisht në këtë bibliotekë janë 17 punëtorë, të cilët për dy vite ma radhë paguhen nga shteti thuaja pa bërë asnjë punë, sepse nuk kanë çfarë të bëjnë kur biblioteka nuk është ende funksionale.

Një gjë të tillë e kanë konfirmuar për KosovaLive vetë punëtorët e BQU-së, të cilët kanë thënë se vetëm pa rrinë dhe po marrin rrogë pa bërë asnjë punë. Sipas tyre fajet për këtë i kanë ata që kanë bërë ndarjen e punëtorëve pasi i kanë sjellë këtu pa u krijuar fillimisht kushte për punë, madje një ndarje të tillë e kanë bërë pa dëshirën e tyre edhe pse siç thonë ata dispozitat ligjore thonë se para transferimit të punëtorëve në një tjetër vend pune duhet të merret edhe pëlqimi i tyre.

Sipas nenit 28 në ligjin për transferin e punëtorëve, nëpunësi civil, me pëlqimin e tij/saj dhe në marrëveshje me punëdhënësin, mund t’i nënshtrohen transferimit të përkohshëm në detyra të tjera me qëllim të dërgimit në detyrë të veçantë në një organizatë ndërkombëtare, ndërmarrje publike ose në cilëndo organizatë tjetër publike, për të cilën nevojiten aftësi dhe përvojë e caktuar profesionale.

Por sipas punëtorëve, të cilët nuk kanë dashur t’iu përmenden emrat, një ndarje e tillë nuk është bazuar në asnjë ligj apo kriter, vetëm është marrë lista e punëtorëve dhe i kanë ndarë ashtu si ua ka marrë mendja pa i pyetur fare ata. Ata thonë se kur është bërë kjo ndarje, madje një pjesë e madhe e punëtoreve kanë qenë në pushime të ndryshme dhe lajmi u është komunikuar përmes telefonit.

Sipas këtyre punëtorëve gjasat që kjo bibliotekë të hapet shpejt janë shumë të vogla pasi objekti ka probleme të shumta, të cilat ekzistojnë prej momentit të transferimit në këtë objekt. Ata kanë vërejtje se objekti nuk i plotëson kushtet për të qenë Bibliotekë Qendrore Universitare, sepse përveç problemeve me rrjedhjen e shiut, nuk ka hapësirë të mjaftueshme. Janë vetëm dy salla, të cilat tashmë janë mbushur me materiale dhe nuk ka hapësirë për sistemimin e të gjithë literaturës së nevojshme. Është një depo e vogël ku mund të ruhen materialet dhe një pjesë e librave ka mbetur në korridor, ku po ashtu pikon shiu.

Njëri nga punëtorët ankohet se “përderisa këtu vetëm po rrimë, atje kanë mbetur projekte shumë të rëndësishme të parealizuara”. Ai përmend projektin “Bibliografia e librit shqip”, projekt ky që ka qenë shumë i rëndësishëm jo vetëm për bibliotekën, por edhe për hulumtuesit dhe për të gjithë. Sipas tij, në atë projekt është punuar 7-8 vjet dhe tani gati dy vjet është ndërprerë shkaku i ndarjes së punëtorëve.

Bibloteka Kombetare

Edhe zëdhënësja për informim e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Zize Kraja, ka pranuar se pas transferimit të punëtorëve në Bibliotekën Universitare, në Bibliotekën Kombëtare ndihet mungesë të punëtorëve.

“Kemi mungesë të punëtorëve, sepse pas ndarjes së Bibliotekës Universitare si degë e veçantë, atje kanë shkuar më shumë se 20 punëtorë nga BKK-ja. Biblioteka Universitare ende nuk është në funksion dhe punëtorët atje vetëm po rrinë, ndërkaq këtu ka mungesë të punëtorëve”, ka thënë Kraja.

Faton Fetahu, nga kabineti i ministrit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), ka thënë për KosovaLive se objekti ku është vendosur Biblioteka Universitare është në procedurë për kontraktim të ri për sanimin e disa pozicioneve të amortizuara dhe të pa përfunduara.

Sipas tij, Ministria e Arsimit është në fazën e përzgjedhjes se kompanisë për sanimin e dëmtimeve të bëra në çati, rifunksionalizimin e aparaturës për ftohje dhe disa pozicione tjera të dëmtuara nga të reshurat.

Ai ka thënë se pranimi teknik përfundimtar i objektit do të bëhet me të përfunduar punimet nga operatorët ekonomikë që planifikohet të kontraktohet gjatë ditëve në vijim.

Por edhe pas pranimit të këtij objekti mund të jetë problem hapësira, e cila është e pamjaftueshme pasi që ky objekt ka qenë i dedikuar për Institutin e Historisë, ndërsa me një vendim të Qeverisë së Kosovës në vitin 2008, këtij objekti i është ndërruar shfrytëzuesi dhe është adaptuar për Bibliotekë Universitare.