Lajme Shqip Thursday, 29 October 2015 11:24

Trembëdhjetë artistë të rinj kosovarë kanë arritur që, pa mbështetje institucionale, me punën e tyre të hyjnë në publikimin e librit “Kosovarts|, i cili me ndihmën e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë do të shpërndahet në Evropë.

Publikimi i librit “Kosovarts”, i bërë nga zyra e BE-së, ka për qëllim që arti kosovar dhe trembëdhjetë artistët e rinj, si Petrit Halilaj, Arta Dobroshi, Albanë Muja, Blerta Zeqiri, etj., të promovojnë në Evropë vlerat e reja artistike që po krijohen në vend.

Shefi i Zyrës së BE-së, Samuel Zhbogar në fjalë rasti për publikimin e “Kosovarts”, tha se artistët e përzgjedhur përmes punës së tyre do të përfaqësojnë Kosovën në Evropë e më gjerë.

“Arti e ka vërtetuar se e ka këtë ndikim për t’i bashkuar njerëzit dhe për t’i ndryshuar shoqëritë, që të na bëjë që të provojmë t’i ndryshojmë shoqëritë. Arti përfaqëson dhe ka fuqi të veçantë t’i flasë të gjithëve sepse nuk ka pengesa gjuhësore në artë dhe është i kuptueshëm matanë çdo kufiri. Prandaj, jemi mbledhur sonte për të njohur artistët e suksesshëm kosovarë, të cilët po përfaqësojnë më të mirën e Kosovës, më të mirën e Kosovës përmes punës se tyre në Evropë dhe me gjerë. Përveç kësaj ka shumë më shumë histori të suksesit të artit të Kosovës, të cilat nuk kanë mundur të futen këtë broshurë”, tha Zhbogar.

Një publikim si ky, artisti kosovar Albanë Muja tha se duhet respektuar, pasi që artistët e përzgjedhur në këtë publikim siç tha Muja e kanë të vështirë të njihen në botë dhe në Evropë. Ai tha se përmes këtij publikimi do të shpërndahet suksesi i artit që ka Kosova.

“Është një publikim që duhet respektuar shumë për mundin, për nismën që është marrë dhe për artistët që janë përfshirë në këtë publikim. Ideja është që me i njoftuar pak a shumë skenë ndërkombëtare, Bashkimin Evropian, ata që ministroret e suksesshme të Kosovës është arti në Kosovë”, tha Muja, transmeton kp.

Në këtë publikim të artistëve ishte e përzgjedhur edhe regjisorja, Blerta Zeqiri, e cila ka treguar se ndihet e lumtur që ishte pjesë e këtij grupi të përzgjedhur të artistëve, por ajo tha se në aty e solli, përveç punës së saj, edhe filmi i saj “Kthimi”.

“Thjesht po ndihem e lumtur që më kanë përzgjedhur të jem në mesin e këtyre, po kam qejf me tregu që në momentin që e kam bërë intervistë me këta, në fakt nuk e kam kuptuar se për çfarë bëhet fjalë, kam menduar që jam duke e bërë një intervistë për ndonjë gazetë, diçka për një publik, por nuk e kam ditur që një publikim i kësaj rëndësie, kështu që sot po ndihem edhe më e gëzuar. Mendoj që më kanë përzgjedhur me gjithë punën time, por nuk besoj që nuk do më kishin përzgjedhur po të mos ishte filmi ‘Kthimi’”, tha Zeqiri.

Gjithashtu Zeqiri tha se artistët si Kosovë, ashtu edhe në botë me punën e tyre, duke mos hequr dorë, e fitojnë hapësirën e cila nuk ju jepet nga institucionet.

Edhe Muja tha se i gjithë suksesi i artistëve ka ardhur nga vetë ata, duke mos pasur ndonjë përkrahje nga institucionet.