Lajme Shqip Sunday, 30 August 2015 09:45

Edicioni i pestë i Festivalit të Filmit Ballkanik dhe Artit të Kulinarisë nis në 14-19 shtator, në Pogradec. Përgjatë këtyre ditëve të festivalit do të prezantohen 100 filma dhe 60 autorë ballkanas. Shtetet që marrinë pjesë janë Sllovenia, Kroacia, Serbia, Maqedonia, Bullgaria, Kosova, Turqia, Greqia dhe Shqipëria. Gjatë një bisede për “Shekulli”-n, regjisori Eno Milkani na tregon risitë dhe qëllimin që ka edicioni i këtij viti.

Për herë të parë është shtuar konkurrimi i studentëve nga shkolla e filmit në vendet e Ballkanit, organizohen seminare mbi kinemanë ballkanike, si dhe workshop-e me nxënës të këtij qyteti, për të shpjeguar teknikat e xhirimit të një filmi. Sikurse çdo vit, edhe kësaj here shprehja e preferuar e organizatorëve Fatos Baxhaku, Greta Qurku dhe Eno Milkani është: “E kam mik për kokë, kam ngrënë bukë me të”. Kjo do të tregohet edhe nëpërmjet netëve të kinematografisë dhe kulinarisë në Pogradec.

Festivali i Filmit Ballkanik dhe Arti i Kulinarisë

Regjisori Eno Milkani, një ndër organizatorët e festivalit na tregon se për këtë vit janë përzgjedhur 100 filma të kategorive të ndryshme. “Janë 6 kategori të ndryshme, duke nisur nga filmi vizatimor, filmi i studentëve, filmi i gjatë dhe i shkurtër dhe filmi dokumentar i gjatë dhe i shkurtër. Për të gjitha këto kategori do të jenë dhe shpërblimet përkatëse”. Përzgjedhja është bërë kryesisht nëpërmjet platformave online, kineastët nga Ballkani kanë aplikuar direkt për në Festivalin Ballkanik të Artit të Kulinarisë.

Për herë të parë këtë vit janë renditur si kategori më vete filmat e studentëve, që vijnë nga shkollat e filmit të Serbisë, Kosovës, Shqipërisë, Greqisë dhe Kroacisë. “Këto janë prurje të reja. Ndërkohë filmat dokumentarë trajtojnë kulturat dhe kryesisht traditat në Ballkan”. Për herë të parë është filmi i gjatë nga Mali i Zi. “Filmi i gjatë nga Mali i Zi ka qenë për këtë vend në seksionin e Oskarit, por janë gjithashtu dhe filma të gjatë rumunë, shqiptarë, turq dhe bullgarë”.

Filmat shqiptarë për autorët e huaj në anglisht

Kinemaja e Pogradecit ofron mundësi për projektimin e filmave, prandaj për këtë edicion do të shfaqen 3 filma të gjatë shqiptarë, të cilët nuk janë pjesë e konkurrimit. Filmat janë “Lindje-Perëndim- Lindje” i regjisorit Gjergj Xhuvani (2009), që rrëfen udhëtimin e pesë çiklistëve drejt Perëndimit, të cilët kthehen andej nga erdhën, në Lindje. “Dasma e Sakos” me regji të Vladimir Priftit (1998), trajton ngjarjet e kësaj dasme përmes mjegullave mesjetare në një qytet fantazmagorik.

Ndërsa “Tirana viti zero” i regjisorit Fatmir Koçi rrëfen ngjarjet tragjike të vitit ’97 në Tiranë. Për 60 të ftuarit këta filma vijnë të përkthyer në anglisht. Regjisorët do të mbajnë dhe seminare për artdashësit. Ata do të tregojnë se si është prodhuar dhe sesi mund të lexohet një temë e caktuar në një film. 40-vjetori i filmit vizatimor shqiptar “Filmin vizatimor, si zhanër, nuk mund që ta lëmë më vete.

Përpos të tjerave është dhe 40-vjetori i filmit vizatimor shqiptar, prandaj do të shfaqen katër tituj jashtë konkurrimit”. Filmi i parë vizatimor “Zana dhe Miri” i Vlash Drobonikut do të prezantohet në këtë festival. Ky rast, sipas Milkanit është një mundësi e mirë që Droboniku të jetë prezent gjatë netëve të festivalit. Gjithashtu do të prezantohet dhe filmat vizatimorë si: “Vajza me pata” i Esat Musliut, “Pika e ujit” dhe “Zhgarravina” e Bujar Kapexhiut. Këta autorë, të cilët zënë një peshë të rëndësishme, përsa i përket kontributit që kanë dhënë për filmin vizatimor shqiptar do të jenë prezent gjatë festivalit dhe do të flasin me nxënësit, që janë përfshirë në ëorkshop-e.

Filmat shqiptarë në konkurrim & të ftuarit

Filmat shqiptarë që do të jenë pjesë e garës janë kryesisht filma dokumentarë, të shkurtër dhe të

Studentëve. “Janë pothuajse autorë të rinj, ata të cilët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre, nga Mali i Zi, Moldavia, Bullgaria, Sllovenia, Kroacia dhe Serbia, pothuajse nga të gjitha vendet e Ballkanit. Gjithashtu kësaj gare i bashkëngjitet edhe filmi i gjatë ‘Bota’ me regji të Iris Elezit”. Të ftuarit për këtë edicion janë Ana Grgic nga Kroacia, Isabella Draghici nga Rumania dhe Raimonda Nelku nga Shqipëria. Ato do të mbajnë leksione në lidhje me kinemanë ballkanike.

Promovimi i kinemasë ballkanike, qëllim i këtij viti

“Qëllimi i këtij viti mbetet njohja dhe promovimi i kinemasë ballkanike, njohja e njëri-tjetrit. Dikush mund të thotë se, ky film autor apo ky dokumentar nuk është i vërtetë, mirëpo është informues. Ne kemi nevojë për këtë gjë, sepse ne nuk i njohim shumë ‘hallet’ dhe problemet që kanë vendet e Ballkanit. Është shumë e lehtë që të bësh një festival me gjashtë filma, me nga një nga çdo vend i Ballkanit, por përveçse kësaj është dhe Arti i Kulinarisë, ku ne do të mundohemi që recetat ballkanike t’ua bëjmë të ftuarve dhe jurisë, që si përherë mbetet evropiane. Ata janë nga Austria, Franca, Çekia dhe Italia”.

Teksa na tregon këto detaje Milkani thotë se: “Është gjë e madhe nëse bashkohen krerët e shteteve, ndërsa arti nuk njeh kufij. Artistët ulen me njëri-tjetrin dhe harrojnë se çfarë planifikojnë politikanët e tyre”. Sipas regjisorit, ndonëse mund të mendohet që të mos prodhohen filma, por pas 100 vjetësh njerëzit do të kritikojnë, sepse nuk ka asnjë gjurmë të këtyre ditëve në kinematografi.

Ballkan Mish-Mash Film Production

Drejtoresha e “Art-Im-Pulse”, Greta Qurku, njëkohësisht dhe koordinatorja e festivalit tregon se risi e këtij viti është dhe “Ballkan Mish-Mash Film Production”, ku nëpërmjet tij, dashamirës dhe kineastë të rinj nga i gjithë Ballkani, mund të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.

“Ideja është realizimi i një filmi pa buxhet, me kontributin e secilit. Skenari mund të jetë shkruar nga një grek, kamera mund të përdoret nga një operator shqiptar, audio realizohet nga një bullgar etj. Personazhet dhe ngacmimet do të merren nga zona e Pogradecit dhe në fund këta filma do të konkurrojnë për një çmim stimulues”. Buxheti që ka dhënë Ministria e Kulturës është 8 milionë e 200 mijë lekë. Ndërsa Bashkia e Pogradecit ka ndihmuar për koordinimin e të ftuarve dhe me burime njerëzore./Gazeta Shekulli