Lajme Shqip Tuesday, 05 February 2013 18:14

TIRANË – Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta gjatë një konference për shtyp u ka bërë thirrje sot partive politikë të bashkëpunojnë në emër të integrimit të vendit. Meta solli në vëmendje mesazhet e përcjella dje nga Komisioneri për Zgjerim në BE, Stefan Fule gjatë vizitës së tij, vetëm një ditë më parë në Tiranë. Sipas Metës ekzistojnë të gjitha mundësitë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat para zgedhjeve.

“Është një mesazh që duhet vlerësuar në maksimum nga të gjitha forcat politike, vecanërisht nga ato parlamentare sidomos marrja e statusit. Mesazhi i Fyles ishte i qartë, se statusi mund të merret para zgjedhjeve, ne prill. Duhet të tregojmë përgjegjësinë tone, të marrim statusin para zgjedhjeve. Detyra e parë do jetë zbatimi i ligjit dhe kodit dhe përpjekjes për të arritur vendime kondsensuale nga KQZ. Ftoj të gjitha forcat politike për të respektuar ligjin dhe rritur frymën e bashkëpunimit”. 

I pyetur se me cilin subjekt politik do të bëjë koalicion në zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit, Meta tha se kjo do të vendoset në Konventën e LSI që pritet të mbahet në muajin prill. Sipas kreut të LSI, nuk ka rëndësi koalicioni.

“Nuk është më e rëndësishme, se cilat do jetë taktikat tona elektorale. Në cdo rast, LSI do ketë programin e saj dhe në cdo rast LSI do dalë me flamurin e saj me simbolet e saja dhe në fund të fundit kodi është i tillë që votohet për subjektin politik dhe jo për koalicionin e caktuar”.

Meta më tej theksoi se vlerëson angazhimin e cdo force politike në zgjedhje, ndërsa u shpreh se LSI do të ketë gjithmonë rol konstruktiv.

“Vlerësojmë angazhimin e çdo force politike në zgjedhje, nuk është me shumë rëndësi taktika elektorale. LSI do të luajë gjithmonë rol konstruktiv, nuk do bëhet pjesë e asnjë lloj konflikti, do sjellë energji pozitive. Koalicionet janë çështje forumesh, vendimi do merret në kohën e duhur”.

I pyetur nëse bisedoi dhe ai dje me eurokomisionerin Fyle, Meta tha se “Ka qenë një bisedë telefonike, ku shpreha angazhimin e LSI për çdo gjë që ka mundësi të bëjë për të ecur drejt marrjes së statusit sa më parë të jetë e mundur”.

Kurse lidhur me sondazhet parazgjedhore, kreu i LSI theksoi se nuk i merr parasysh pasi partia që ai drejton ka një kontroll shumë të rreptë në terren.
“Absolutisht që jo, LSI ka një kontroll shumë të qartë dhe rigoroz të situatës në terren, të gjithë janë të lirë të shpallin dhe sponsorizojnë sondazhe, keqardhje për ata që sponcorizojnë sondazhe të tilla qesharake”. 

Pyetjes sesa deputetë do marrë LSI në zgjedhjet e 23 Qershorit, Meta siguroi se numri do të jetë më i madh se ai që është aktualisht në parlament.
“Përfaqësuesit tanë në radhë të parë kanë të drejtë të zbatojnë ligjin. Disa herë më shumë deputetë nga sa jemi aktualisht, pasi votat për LSI janë vota të sigurta. Por siguroj që ne një grup parlamentar do e bëjmë vetëm me deputetët që do fitojmë në 2 qarqe kryesore të vendit”.(LajmeShqip.com)