Lajme Shqip Thursday, 24 September 2015 15:43

Lëvizja Vetëvendosje ka mohuar se në kushtet e presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga të vëna koalicionit VLAN vitin e kaluar, të jetë thënë se ata nuk mund të jenë në Qeveri. Por, kushtet e Jahjagës që ia kishte vënë koalicionit VLAN vitin e kaluar i kanë cilësuar kundër kushtetuese dhe të papranueshme.

Pohimet e zëvendëskryeministrit Kujtim Shala se në kushtet e presidentes ishte edhe kundërshtimi që VV-ja të bëhej pjesë e Qeverisë, meqë nuk donin SHBA-të, kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri në pjesën e dytë të intervistës për KosovaPress, i ka quajtur tentim për t’u fshehur nga elektorati i LDK-së, për tradhtinë që i bëri, kur iu bashkua PDK-së në Qeveri.

“Këtë e kam dëgjuar ta ketë thënë zëvendëskryeministri Shala, mendoj që kjo është një formë që LDK-ja po donë të shfajësohet para elektoratit të vet. Sepse natyrisht se ata e dinë që anëtarët dhe votuesit e LDK-së janë jashtëzakonisht të zhgënjyer dhe zëmëruar me këtë vendim të LDK-së. Dhe kemi parë që vazhdimisht krerët institucional por edhe akterë të c aktuar politik që çdo të keqe që ia kanë bërë këtij vendi fshihen prapa asaj që e quajnë bashkësi ndërkombëtare, fshihen prapa SHBA-ve, fshihen prapa BE-së. Çdo gjë e keqe që na ka ndodhur, secilën marrëveshje të dëmshme që e kanë sjell në Kuvend, kur e kanë parë se nuk mund ta mbrojnë me shpifjet dhe të pavërtetat e tyre, kanë thënë se këtë e kanë përkrahur SHBA-të”, tha ai.

Ymeri thotë se në kushtet e presidentes nuk është thënë se VV-ja nuk bën që të jetë pjesë e Qeverisë, madje nuk kanë dëgjuar asnjëherë asnjë zyrtar të SHBA-ve, të ketë deklaruar një gjë të tillë.

“Unë, nuk e di a ka qenë SHBA-ja kundër nesh, nuk kam parë asnjë deklarim publik të ndonjë zyrtari të SHBA-ve i cili thotë që vetëvendosje nuk duhet të jetë në Qeveri. As kushtet e presidentes nuk kanë thënë që VV nuk bënë të jetë në pushtet. Kushtet e presidentes kanë synuar që ta definojnë politikën e Qeverisë, që prapë po e them ka qenë ndërhyrje flagrante në ekzekutivin e vendit dhe si të tilla ato kushte jo që duhet tash të shfrytëzohen për ta mbuluar këtë tradhti që e bëri LDK-ja, përkundrazi duhet të luftohen nga secili subjekt politik dhe secili personalitet publik i cili ia do të mirën këtij vendi. Me Kushtetutë dihet roli i presidentes. Presidentja nuk cakton politika qeveritare”, theksoi Ymeri.

Sipas kreut të VV-së, kushtet që ka vënë presidentja kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe këto domosdoshmërish do duhej të luftoheshin.

“Nuk mund të vendosë as presidentja e askush tjetër kushte që Qeveria e Kosovës duhet domosdoshmëritë të vazhdoj në të njëjtën formë dialogun me Serbinë. Ky është vendim politik, një Qeveri e Kosovës mund të marr vendim që të vazhdoj, por një Qeveri tjetër mund të marr vendim që të ndryshoj atë me karakter dhe ta ketë një proces tjetër të dialogut. Askund me Kushtetutë nuk shkruan që Qeveria e Kosovës duhet domosdoshmërisht të jetë e nënshtruar në një proces me Serbinë. Përkundrazi Kushtetuta thotë që ne jemi të pavarur edhe nga Serbia dhe qëllimi i marrëveshjes së 10 shtatorit ka qenë që ta përmbush pikërisht këtë kriter, që ta sovranizojë Kosovën veçanërisht karshi Serbisë për shkak të një procesi të dëmshëm që e kishte vendosur Thaçi”, tha ai.

Aksionet kundër kryeministrit Isa Mustafa, dhe vendimeve të Qeverisë së udhëhequr nga ai, Ymeri thotë se nuk po bëhen për shkak të inateve apo hidhërimeve për tradhtinë që ua bëri vitin e kaluar, por për shkak të ndryshimit të qëndrimeve dhe koncepteve në mënyrë të pabesueshme, duke u bërë faktori kryesor për vënien e SHIK-ut në krye të institucioneve.

“Nuk është çështje inatesh, është problemi meqë e ka braktisur këtë marrëveshje që garantonte sovranizim të vendit dhe ka hyrë në koalicion, me listën serbe dhe PDK që garanton shkatërrim të vendit, kjo e bënë artë ndryshimin rrënjësor të qëndrimit të LDK-së karshi këtyre çështjeve. Nuk ka të bëjë as me inate personale, as me hidhërim ta quaj kështu për tradhtinë që bëri LDK-ja. LDK-ja e tradhtoj VV-në, AAK-në dhe Nismën në këtë rast, por LDK me së shumti e tradhtoi elektoratin e vet. Sepse ka ardhur në pushtet duke premtuar se do ta luftoj SHIK-un, dhe në fund u bë faktori kryesor i vënies së SHIK-ut në krye të institucioneve të Kosovës, n ë këtë rast në krye të Kuvendit të Kosovës. Pra, ata që deri dje flisnin për çdo ditë kundër SHIK-ut, me akuzat me të rënda, sot u bënë votuesit dhe përkrahësit gati me të mëdhenj të Kadri Veselit si kryetar i Kuvendit, pra shefit të SHIK-ut”, u shpreh ai.

Ymeri ka folur edhe për kundërshtimet e Ilir Dedës ndaj aksioneve të Vetëvendosjes, të cilat Deda i ka quajtur të dhunshme. Lideri i Vetëvendosjes tha se zërat, qofshin te VV-ja ose jashtë VV-së të cilët i konsiderojnë aksionet e Vetëvendosjes si të dhunshme, shpërfaqin një mungesë absolute të kuptimit të fjalës dhunë në aspektin teorik dhe praktik të saj.

“Nuk është dhunë heqja e grilave, dhunë është vendosja e grilave sepse Qeveria e Kosovës po e uzurpon një pjesë të hapësirës publike, e cila do duhej të ishte e gjithë qytetarëve për ta shndërruar atë në pronë të vetën, ku qasje kanë vetëm zyrtarët qeveritar. Pra vendosja e grilave na dhunon neve si qytetarë sepse na shkurton publiken në mënyrë që ta rris uzurpimin qeveritar…Unë thash, jo vetëm deputetët tanë, jo vetëm Ilir Deda, por edhe gjithë të tjerët që e konsideroj këtë si aksion të dhunshëm më shumë se sa mospajtim shpërfaqin mos kuptim të fjalës dhunë”, tha Ymeri.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje ka folur edhe për shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, duke thënë se është e domosdoshme që Kosova ta ketë ushtrinë e vet, pasi ajo do të ishte garanti me i rëndësishëm i integritetit territorial dhe i sovranitetit të vendit.

Por, Ymeri thotë se ende nuk kanë vendosur nëse do ta përkrahin ose jo projektligjin për FAK-un, pasi ende nuk e kanë parë atë, nëse ai ndan ushtrinë e Kosovës në baza etnike, ose jo. Madje , në asnjë mënyrë nëse brenda FAK-ut bëhet një batalion siç është përfolur për Veriun e vendit.

“Duhet të shohim ligjin, çfarë ka bërë Qeveria me këtë ligj dhe çfarë do të bëjë Qeveria me këtë ligj. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të shihet se çfarë po ndryshohet tek FSK-ja dhe veçanërisht rreziku që i kanoset kësaj force i ndarjes etnike siç janë ndarë edhe komponentët tjera. Kjo është mendoj një gjë që nuk duhet në asnjë mënyrë të lejohet, jo vetëm tek FSK-ja, jo vetëm nesër të ushtria, por në asnjë aspekt tjetër… jo, natyrisht që jo, nuk mund ta përkrahim qoftë një Forcë Sigurie që me ndryshimin e ligjit avancohet me një modus tjetër të veprimit, sikur ushtri e Republikës së Kosovës, nuk mund ta përkrahim atë nëse ajo është e ndarë etnikisht për së brendshmi që do të nënkuptonte në terma konkret, kur Kosova do ta fitonte një lloj ushtrie të njëjtën gjë dhe të njëjtin nivel do ta kishte edhe Zajednica. Dhe një ushtri e cila është e kufizuar kundër kushtetutës në territorin e Kosovës”, tha ai.

Sipas Ymerit, deklarimi i kryeministrit Isa Mustafa se kurdo që i themelojnë Forcat e Armatosura të Kosovës ato nuk do të shkojnë në veri, do të thotë se ai po konsideron se Veriu nuk është pjesë e Kosovës. Madje, sipas tij, nuk ka të drejt as kryeministri, as presidentja që t’ia cungoj fushëveprimin Forcave të Armatosura të Kosovës.