Lajme Shqip Monday, 31 August 2015 14:11

Lëvizja Vetëvendosje ka paraqitur problemet me të cilat përballet vendi ynë në fushën e arsimit.

Deputeti, Ismajl Kurteshi ka thënë se ky vit i ri shkollor po fillon me probleme që e kanë përcjell arsimin në Kosovë gjatë viteve te fundit.

“Kemi dëgjuar deklarata nga Ministria e Arsimit se do të ketë investime por ato tash veç çka janë zvogëluar. Problemet sa janë shkuar duke u rritur. Përkundër nevojave për ndërtimin e shkollave ku në shumë prej tyre zgjat ora 30 minuta, duhej të krijoheshin kushte për zhvillim të mësimit normal. Kabinetet e laboratorët u mungojnë pothuajse të gjitha shkollave si dhe fushat e sportit. Investimi në përgatitjen e mirëfilltë të kuadrove në arsim dhe digjitalizimi janë nevoja tejet të rëndësishme, të cilave nuk u janë krijuar kushtet përkatëse”, ka thënë Kurteshi.

Kurteshi ka theksuar se shumë mësues nuk janë kompetent për të zhvilluar mësimin, dhe se Ministria e Arsimit duhet të bëjë diçka që kjo gjëndje të ndryshojë.

“Të gjithë kompetentet dhe inspektorët e arsimit ta monitorojnë dhe vlerësojnë që më pas t’i sanksionojnë ata që janë meritorë për mësimdhënës. Depolitizimi është përmendur, por, politizimi vetëm sa po thellohet. Vendet po iu ruhen atyre që janë militantë politikë e atyre që i shërbejnë politikave të caktuara. Depolitizim nuk mund të quhet hapje e universiteteve politike e ato private nuk po i kontrollon askush”, ka theksuar Kurteshi.

Sipas tij, ka mungesë të sigurisë së brishtë nëpër shkollat tona ku kanë ndodhur shumë incidente fatale, e që nuk i është kushtuar aspak rëndësi.

Deputeti tjetër, Mytaher Haskukaj ka thënë se në testin e maturës mund të ketë gjithçka pos matjes së dijes.

“Hapja e faqeve në Facebook dërgohen pyetjet e testeve dhe shkolla më e mirë është ajo që kopjon më së shumti. Cilësia e arsimit të lartë vjen nga nxënësit e dobët që vijnë në universitet. Procesi i akreditimit ka qenë një proces i nepotizmit e i korrupsionit”, ka deklaruar Haskukaj.