Lajme Shqip Tuesday, 27 October 2015 15:38

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka deklaruar se deputetët e kësaj partie do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit në ditën kur do të kërkohet ratifikimi i MSA-së.

Por, nuk ka deklaruar njëjtë partia tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje.

Zëdhënësi i kësaj partie Frashër Krasniqi, i ka thënë Indeksonline se kjo çështje nuk ka arritur ende në agjendën e Kuvendit.

“Kjo çështje ende nuk ka ardhur në agjendën e Kuvendit, prandaj edhe ende nuk kemi ndonjë qëndrim për këtë çështje”, ka thënë shkurt Krasniqi.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh zëvendës presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, kanë nënshkruar në Strasburg, Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.