Lajme Shqip Saturday, 31 October 2015 09:05

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, edhe zyrtarisht e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, për të marrë interpretimin nëse është apo jo në përputhje me Kushtetutën kjo marrëveshje.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka drejtuar Gjykatës Kushtetuese kërkesën për interpretimin e përputhshmërinë së parimeve të Asociacionit me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Presidentja Jahjaga e ka referuar këtë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese duke u bazuar në kompetencat e saj kushtetuese për të ngritur çështje kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Ndërkohë, ky vendimi i Jahjagës ka nxitur reagime në Beograd. Qeveria e Aleksandër Vuçiqit ka kërkuar menjëherë ndërhyrjen e Bashkimit Evropian si ndërmjetësues në bisedimet e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kësisoj, Vuçiq është shprehur se prej Prishtinës gjithçka mund të pritet, dhe në këtë rast, sipas tij, bëhet fjalë për një lajm shumë të keq.

“Mendoj se bëhet fjalë për një sjellje të papritur dhe thënë me fjalët më të buta, sjellje të papërgjegjshme”, ka thënë ai.

Kryeministri serb ka thënë ndër të tjera së në Bruksel është negociuar me muaj dhe janë bërë shumë kompromise, ndërsa pjesa më e madhe e marrëveshjes ka të bëjë me Asociacionin e Komunave Serbe. “Nënshkrimi im në këtë marrëveshje nënkupton diçka. Nënshkrimet e kujtdo qofshin nga Serbia për mua nënkuptojnë diçka, kurse për ta, përfaqësuesit e Prishtinës, nënshkrimet nuk do të thonë asgjë. Ata e morën këtë vendim një ditë pasi që nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit”, është shprehur ai.

Kurse koordinatori i ekipit të Beogradit për AKS-në, Lubomir Mariq, ka deklaruar se duhet të sqarohet nëse është apo nuk është në fuqi marrëveshja për Asociacionin.

“Kjo është çështje e Bashkimit Evropian. Ne duhet të bisedojmë seriozisht me BE-në dhe se Qeveria e Serbisë duhet të kërkojë nga Brukselit sqarime konkrete rreth afatit të formimit të Asociacionit dhe të marrë përgjigje se a është suspenduar marrëveshja për këtë Asociacion”, ka thënë ai.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka kërkuar mirëkuptim nga deputetët serbë, duke thënë se bëhet fjalë vetëm për një veprim kushtetues që është nën autoritetin e presidentes. “Shpresoj që Lista Serbe e cila është duke dhënë kontribut në institucionet tona e mirëkupton këtë iniciativë. Kjo është çështje e Kushtetutës të cilës të gjithë ne i bindemi dhe e respektojmë”, ka deklaruar Veseli.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se nëse Gjykata e interpreton këtë marrëveshje në kundërshtim me Kushtetutën, atëherë ajo nuk do të zbatohet.

Për subjektet opozitare kjo iniciativë nuk do të ndikojë në kundërshtimin e tyre për AKS-në apo siç e quajnë ata “Zajednicës”./Zëri/