Lajme Shqip Sunday, 27 September 2015 10:45

Javën që shkoi Qeveria e Kosovës përcaktoi shumën e pensionit për veteranët luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vendim të cilin e ndryshoi pas dy ditësh për shkak të presionit nga pakënaqësia e veteranëve.

Fillimisht të mërkurën u vendos që lartësia e shumës së pensionit për veteranët deri në moshën 35 vjeçare të jetë 130 euro, ndërsa mbi moshën 35 vjeçare 170 euro, ndërsa pas dy ditësh u vendos që për të gjithë veteranët shuma e pensionit të jetë 170 euro.

Kryeministri Isa Mustafa, duke mos e pranuar se ndryshimi u bë për shkak të reagimit të shoqatave të luftës, tha se është konstatuar që numri i atyre veteranëve që janë nën moshën 35 vjeçare është shumë i vogël dhe se me pëlqim të Ministrisë së Financave dhe asaj të Punës dhe Mirëqenies Sociale janë dakorduar që kjo shumë të jetë 170 euro për të gjithë.

Ndonëse ende nuk janë publikuar listat përfundimtare të Komisionit qeveritar për verifikimin e statusit të dëshmorit, invalidit, veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të UÇK-së, në adresë të të cilit kanë arritur afër 22 mijë ankesa, qeveritarët kanë llogaritur se statusin e veteranit luftëtar do ta kenë rreth 14 mijë veta.

Edhe pas vendimit të dytë të Qeverisë së Kosovës janë deklaruar të pakënaqur veteranët dhe përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës.

Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, thotë për KosovaLive se në marrëveshjen që kanë pasur veteranët me qeverinë ka qenë e paraparë që ata të paguhen diku 220 euro dhe pagesa të bëhet në mënyrë retroaktive që nga 1 janari i këtij viti.

Qeriqi thotë se vendimet e fundit të qeverisë, janë të papranueshme për veteranët.

“Ne me marrëveshjen që e kemi pasur me qeverinë dhe në takimet që kemi zhvilluar me kryeministrin Isa Mustafa jemi marr vesh që pensioni për veteranet të jetë diku 220 euro, po ashtu e kemi diskutuar edhe për buxhetin që është ndarë për këto kategori dhe premtimi i kryeministrit ka qenë që sado të vonohet ky proces veteranët t’i marrin pensionet në mënyrë retroaktive nga janari i këtij viti. Kjo nuk ka ndodhur dhe ne jemi të dëshpëruar, po ashtu, edhe veteranët e luftës me të cilët jam në kontakt ku sot kam qenë në dy komuna kam biseduar me ta dhe më kanë thënë se është një vendim i tillë është i papranueshëm”, thekson Qeriqi.

Ai thotë se veteranët janë të dëshpëruar me vendimin e fundit të qeverisë që veteranët luftëtarë të paguhen 170 euro, ndërsa paralajmëroi se gjatë javës së ardhshme do të ketë edhe protesta.

“Qeveria fillimisht në vendimin e mëhershëm që e ka marrë ka bërë shkeljen e ligjit për arsye se në bazë të ligjit nuk mund të ketë kategorizime brenda veteranëve luftëtarë pra kur i caktuan dy shuma 130 nën moshën 35 vjeçare dhe 170 euro mbi moshën 35 vjeçare kështu që jemi duke diskutuar dhe do të marrim një vendim rreth protestës që do ta mbajmë. Jemi duke diskutuar me veteranët dhe me gjasë që do të ketë protestë në bazë të asaj që po e shoh tek veteranët “, tha Qeriqi.

Edhe Xhavit Jashari, përfaqësues i organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, ka pohuar për KosovaLive se marrëveshja e veteranëve me Qeverinë e Kosovës ka qenë që pensionet e tyre të jenë 220 euro dhe jo më pak se paga minimale në Kosovë.

“Reagimi ynë ka qenë për shkak se ky vendim ishte në shpërputhje dhe në kundërshtim me vlerat e luftës . Në ligj thuhet se pensioni i veteranit të mos jetë nën pagën minimale që llogaritet në Kosovë. Ne kemi pasur një marrëveshje me Qeverinë e Kosovës që pensionet e veteranëve pas verifikimit të tyre të merren në formë retroaktive nga 1 janari 2015 dhe gjithashtu një shumë e cila ka qenë e pranueshme deri diku ka qenë që pensioni për veteranin e luftës të jetë 220 euro.

E papranueshmja më e madhe ka qenë që të ndahen veteranët në moshë, kjo s’mund të ndodhësepse ata kanë dhënë kontribut të barabartë në luftë, kanë qenë në gjendje të sakrifikojnë edhe jetën për të ardhur te liria. Ne kërkojmë që marrëveshja të respektohet sepse ligji nuk lejon që beneficioni ose paga të jetë nën pagën minimale në Kosovë dhe kërkesa jonë është që veteranët ta kenë një pension dhe një jetë të dinjitetshme”, nënvizoi Jashari.

Ai ka kërkuar nga Qeveria që kur të formoj komision për ta vënë në funksion zbatueshmërinë e kësaj pjese të ligjit për vlerat e luftës së veteranëve të mos nxjerr akte nën ligjore pa qenë prezent edhe përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta.

“Gjithçka që është në përputhje me ligjin dhe që e bën jetën e dinjitetshme për veteranin do të jetë e pranueshme për neve në të kundërtën ne do të reagojmë sepse është obligim për institucionet t’u sigurojë një jetë të dinjitetshme veteranëve”,deklaron Jashari.

Ndërkohë sa i përket verifikimit të listave të veteranëve ai ka thënë se ky proces është në përfundim kurse veteranët që nuk kanë qenë raste të kontestuara tashmë janë pajisur me certifikata që u është njohur e drejta e veteranit.

Rikujtojmë se deri më tani mbizotëron vlerësimi se procesi i verifikimit të luftëtarëve u manipulua dhe dolën shumë probleme e paqartësi që në start kur filluan të publikohen listat e Komisionit qeveritar për verifikimin e statusit të dëshmorit, invalidit, veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të UÇK-së.

Se procesi i verifikimit u manipulua dhe u degradua flet fakti se kishte shumë të pakënaqur dhe tani ky komision nuk po ia del në krye me shqyrtimin e rreth 22 mijë ankesave që kanë arritur në adresë të tij nga të pakënaqurit me verifikimin e statusit të dëshmorit, invalidit, veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të UÇK-së.