Lajme Shqip Friday, 25 September 2015 09:10

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës javën e ardhshme do t’i fillojnë protestat për të kundërshtuar vendimin, që Qeveria e Kosovës ka marrë të mërkurën e më të cilin parashihet që veteranët nën moshën 35-vjeçare të paguhen vetëm 130 euro, kurse ata mbi këtë moshë 170 euro.

Ata kanë thënë se janë pajtuar me Qeverinë që pagesa të jetë rreth 220 euro, ndërsa, vendimin e Qeverisë e kanë cilësuar si të turpshëm. Sipas tyre, me këtë vendim veteranët trajtohen si kategori sociale.

Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka thënë për “Zërin” se pagesa e caktuar është shumë e ulët, ndërsa sa i përket kategorizimit në bazë të moshës ka thënë se veteranët nuk kanë qenë të ndarë sipas moshës gjatë luftës, ata kanë luftuar njëjtë si i riu si i vjetri, prandaj sipas tij as tani nuk guxojnë t’i ndajnë kështu.

“Mendojmë se ky vendim i Qeverisë është i padrejtë dhe tregon papërgjegjësinë e saj, sepse në takimin që kemi pasur dhe në marrëveshjen që e kemi pasur jemi marrë vesh që paga për veteranët të jetë rreth 220 euro dhe për më tepër ky vendim është në kundërshtim edhe me ligjin, pasi aty thuhet se pagesa do të jetë jo me pagë se paga minimale në vend. Kjo shumë e pagesës i fut veteranët në kategori sociale”, është shprehur Klinaku.

Ai më tej ka thënë se këtë vendim të Qeverisë do ta kundërshtojnë përmes demonstratave, të cilat, sipas tij, pritet të fillojnë nga java e ardhshme.