Lajme Shqip Friday, 25 September 2015 12:29

Bllokimi i punës së Parlamentit nga opozitarët ka gjasa të mëdha që të vazhdojë tutje derisa rregullat ligjore të Kuvendit parashohin masa të “vockla” sanksionuese ndaj atyre deputetëve që pengojnë punën e Parlamentit, si: largimi nga salla, përjashtim për dy-tri seanca, por jo edhe marrje të imunitetit.

Mirëpo, Rregullorja e Punës së Kuvendit, Neni 41, parasheh që kryetari i Kuvendit mund të kërkojë nga një deputet ose një ministër, i cili sipas vlerësimit të tij ka përdorur gjuhë joparlamentare, t’i tërheqë fjalët joparlamentare.

Deputeti ose ministri është i detyruar t’i respektojë urdhrat e kryetarit të Kuvendit pasi t’i tërhiqet vërejtja për sjelljen, duke përfshirë këto masa: tërheqja e fjalës ose e shprehjes joparlamentare, ndërprerja e menjëhershme e fjalës, largimi nga mbledhja e Kuvendit ose nga mbledhja e komisioneve të asaj dite, ndërkaq, në rastet kur kërkohet veprim plotësues, duke përfshirë edhe ndërhyrjen e një ose më shumë zyrtarëve të Policisë, kryetari i Kuvendit konsultohet me Kryesinë para se të urdhërojë një masë të tillë disiplinore.

Në këto raste zyrtarët e Policisë veprojnë sipas urdhrave të kryetarit të Kuvendit. /Zëri/