Lajme Shqip Thursday, 23 July 2015 20:08

Takimi i kryetarit të PDK-së me deputetët e partisë së tij duket se nuk ka prodhuar rezultate, pasi disa nga deputetët e deklaruar kundër themelimit të Speciales vazhdojnë të mbajnë të njëjtin qëndrim, raporton KTV.

Disa prej tyre i kanë thënë KTV-së se nuk kanë ndërruar mendje, porse kanë hezituar të flasin para kamerës.

Por, kalimi i Speciales pritet të ndodhë, pasi kryeministri Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi tashmë kanë si synim votimin e fshehtë në Kuvend. E, para se Specialja të dërgohet sërish në Kuvend, po kërkohet që ajo fillimisht të shkojë sërish në Gjykatën Kushtetuese.

Ky gëzim i deputetëve, kryesisht të opozitës dhe disave të PDK-së, ka gjasa të përsëritet sërish, pasi kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, duket se ka dështuar t’i bindë disa nga deputetët të cilët votuan kundër themelimit të Gjykatës Speciale.

Deputetët si Fadil Demaku, Nait Hasani e Ganimete Musliu, nuk u janë bindur ende kërkesave të shefit të partisë së tyre.

Ata vazhdojnë të kundërshtojnë në çdo formë këtë gjykatë.

Një prej kundërshtuesve më të mëdhenj të Gjykatës Speciale, Nait Hasani, është i bindur se gjykata nuk do të kalojë.

Hasani e quan të pakuptimtë faktin që qeveria ta riprocedojë gjykatën në kuvend pa bërë asnjë ndryshim. Ai thotë se një gjykatë që ndjek penalisht vetëm shqiptarët është diskriminuese dhe se do të rrënonte shtetësinë e Kosovës.

Gjykatën s’do ta votojë as Fadil Demaku, i cili ka thënë për KTV-në se as nuk e ka në plan të merret me këtë temë më, pasi përgjigjen e ka të prerë.

Disa deputetë të tjerë të PDK-së nuk kanë kthyer fare përgjigje në kërkesën e KTV-së.

Të rrezikuar nga mungesa e numrave në Kuvend, Hashim Thaçi e Isa Mustafa, tani si kërkesë e kanë votimin e fshehtë, pasi disa prej deputetëve kundërshtues të Partisë Demokratike në atë formë e kanë premtuar votën për, transmeton Koha.net.

Ndonëse janë deklaruar kundër, disa nga partitë opozitare ende nuk e kanë të qartë se si do të veprojnë.

AAK ka një qëndrim të prerë kundër kësaj forme të Gjykatës.

Por para se të ridërgohen në kuvend, amendamentet do të duhej të shkonin sërish në Gjykatën Kushtetuese.

Ditën kur u votua për amendamentet kushtetuese që i hapnin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, 75 votuan pro, 7 kundër, kurse 2 abstenuan.

Prej ditësh është shtuar edhe presioni ndërkombëtar mbi institucionet e Kosovës, derisa kryesisht zyrtarët amerikanë kanë kërkuar riprocedim të shpejtë të amendamenteve kushtetuese.