Lajme Shqip Saturday, 19 January 2013 13:36

Prishtine – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se me Serbinë nuk do të bisedohet kurrë për çështje të brendshme të Kosovës.

“Për rregullimin e brendshëm të Kosovës nuk do të bisedoj me Serbinë. Unë do të respektoj Kushtetutën e vendit tim”, ka thënë Thaçi.

Në një intervistë për gazetën serbe “Veçernje Novosti, kreu i qeverisë kosovare ka theksuar se komuniteti serb në Kosovë mund të mbështetet në të drejta të nivelit të lartë evropian.

Gjithashtu, Thaçi është shprehur se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, duke shtuar se synimi i bisedimeve me homologun Daçiç është normalizimi i marrëdhënieve.

“Po bisdeojmë për normalizimin e raporteve ndërmjet vendeve tona dhe duhet të arrijmë në atë situatë ku të dyja palët të jenë fituese”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri i Kosovës dhe ai i Serbisë mbyllën në orët e para të mëngjesit të së premtes takimin e katërt dhe më të gjatin në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, me nisjen kësaj here të bisedimeve për një zgjidhje afatgjatë për veriun.

Sipas një komunikate për shtyp nga zyra e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton, në takim u arrit një marrëveshje e përkohshme për mbledhjen e taksave doganore, akzicës dhe TVSH-së në pikëkalimet mes dy vendeve.

Në të njëjtën komunikatë Ashton njoftoi se në takimin e ardhshëm, i cili pritet të mbahet në mes të muajit shkurt, Thaçi dhe Daçiç janë pajtuar të zhvillojnë një dialog intensiv për zgjidhjet për veriun e Kosovës.(LajmeShqip.com)